Osmani flet për takimin e Ohrit dhe modelet për asociacionin: Më i miri ai që ka aktualisht Kosova

14 mars 2023 | 12:00

Data e takimit në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq është duke u afruar.

Më 18 mars Kurti dhe Vuçiqi do të takohen në Ohër të Maqedonisë Veriore. Ndërsa për këtë takim si dhe për modelet e propozuar nga Lajçaku për asociacionin ka folur edhe presidentja e vendit, Vjosa Osmani.

Osmani, ka treguar se nuk pret shumë nga ana e Serbisë në takimin më 18 mars teksa shpreson në komunitetin ndërkombëtarë, pasi sipas saj, Vuçiq nuk ka ndryshuar dhe “nuk e ka ndërmend të ndryshojë”.

“Pritjet tona janë që natyrisht ky do të jetë një takim ku Kosova do të angazhohet më shumë, ku do të jap komentet e veta, propozimet e veta, gjithsecila prej tyre kontribuon për paqen në rajon”, ka thënë ajo, në një prononcim për medie, pas edicionit të dhjetë të Javës së Gruas.

“Këto pritje janë pritje që varen nga ne. Unë nuk mund të tregoj se si mund të sillet Serbia sepse deri sot ata nuk kanë dhënë ndonjë një kontribut, qoftë për arritje të marrëveshjes, qoftë për stabilitet e paqe në rajon. Presidenti Serb jep sinjale që ata nuk ka ndryshuar dhe nuk e kanë ndërmend të ndryshojnë, kontributi i tyre i vetëm në proces ka qenë obstruksioni dhe kjo nuk është as gjë e re, kjo ka ngjarë në këto 12 vite të dialogut”, është shprehur Osmani.

Më tutje, Osmani ka komentuar edhe marrëveshjet e kaluara që nuk janë zbatuar nga Serbia.

Osmani gjithashtu ka pranuar se nëse ka marrëveshje më 18 mars, atëherë sipas saj, mund të hapet rruga drejtë njohjes reciproke. Osmani ka thënë se gjysma e marrëveshjeve nuk janë zbatuar nga ana e Serbisë.

“Deri tani më shumë se gjysma e marrëveshje nuk janë duke u zbatuar nga ana e Serbisë. Nuk kemi pritje të mëdha nga ana e Serbisë, shpresa ime është që komuniteti ndërkombëtar do të fokusohet me një presion në raport me Serbinë në mënyrë që të bindet Serbia që data 18 mars në Ohër është një momentum i rëndësishëm në procesin e dialogut, që do të zgjidhen shumë çështje të cilat pastaj e hapin rrugën drejt njohjes reciproke”, ka thënë Osmani.

Shefja e shtetit ka komentuar edhe deklarimet e emisarit të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi për 15 modelet që ka prezantuara për zbatimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Osmani ka thënë se kanë analizuar të gjithë 15 propozimet dhe se këto modele s’kanë të bëjnë me asociacione.

Ajo ka thënë se modeli më i mirë për asociacionin është ai që ka aktualisht Kosova.

“Sa i përket modeleve evropiane që janë prezantuar, të 15-at s’kanë të bëjnë me asociacione. Janë modele të drejtash për pakicat. Në disa jepen më shumë të drejta, e në disa më pak sesa që tashmë u jep Kosova komuniteteve joshumicë. I kemi analizuar të gjitha dhe ka elemente që mund të merren prej secilës prej tyre, por do të thosha që modeli më i mirë, shumë më i mirë se të gjitha ato 15, është ai që ka aktualisht Kosova. Jemi për të diskutuar elemente të tilla, në mënyrë që në Kosovë të kemi gjithëpërfshirje, diversitet e multietniciteti të jetë vlera jonë kushtetuese”, ka thënë Osmani.

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Vazhdon perceptimi pozitiv ndaj Administratës Tatimore të Kosovës përmes raporteve…