Osmani fton shtetet që nuk e kanë njohur Kosovën – ta bëjnë atë
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka ftuar shtetet që ende nuk e kanë njohur Kosovën që ta bëjnë atë.
“Dua ta shfrytëzoj këtë rast që t’u bëj thirrje shteteve miqësore nëpër botë të qëndrojnë me Kosovën, e për ato të cilat nuk e kanë njohur shtetësinë dhe institucionet demokratike të Kosovës, [u bëj thirrje] t’i bashkohen shumicës së shteteve të botës e ta bëjnë këtë”, tha ajo.
Kështu deklaroi Osmani në fjalimin e saj në Samitin për Demokraci të organizuar nga presidenti amerikan, Joe Biden.
Kosova ka shpallur pavarësinë më 17 shkurt të vitit 2008. Sipas listës së publikuar në ueb-faqen e Ministrisë së Punëve të Jashmte dhe Diasporës, 117 vende të botës e kanë njohur atë.
Osmani falënderoi Shtetet e Bashkuara të Amerikës për përkrahjen dhe kontributin në Kosovë, dhe tha që vendi po bën dhe do të bëjë “punë të palodhshme për ta ruajtur demokracinë”.
“Ftoj të gjithë të qëndroni me ne, Kosovën, e ne të vazhdojmë të jemi aleat i besueshëm dhe kampion i demokracisë”, tha presidentja.
Samiti për Demokraci u zhvillua për herë të parë në dhjetor të vitit 2021. Ky samit virtual bashkon mbi 100 shtete nga e gjithë bota.