Osmani i bashkohet deklaratës së Biden, el-Sisit dhe Al Thanit që bëjnë thirrje për armëpushim në Gaza

09 gusht 2024 | 16:08

“Është koha për të sjellë lehtësim të menjëhershëm si për popullin e shumëvuajtur të Gazës, ashtu edhe për pengjet e shumëvuajtur dhe familjet e tyre. Ka ardhur koha për të përfunduar marrëveshjen e armëpushimit dhe lirimin e pengjeve dhe të arrestuarve”. Kështu kanë deklaruar liderët e tri vendeve që ishin përfshirë në përpjekjet për të arritur një armëpushim në Gaza, ShBA-së, Egjiptit dhe Katarit.

“Ne të tre dhe ekipet tona kemi punuar pa u lodhur gjatë shumë muajve për të krijuar një marrëveshje kuadër që tani është në tryezë dhe kanë mbetur vetëm detajet e zbatimit për t’u përfunduar. Kjo marrëveshje bazohet në parimet e përshkruara nga Presidenti Biden më 31 maj 2024 dhe miratuar nga Rezoluta 2735 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Nuk ka më kohë për të humbur dhe as justifikime nga asnjë palë për vonesa të mëtejshme. Është koha për të liruar pengjet, për të filluar armëpushimin dhe për të zbatuar këtë marrëveshje”, është thënë më tutje në këtë deklaratë të përbashkët.

Si ndërmjetës, presidenti amerikan Joe Biden, ai i Egjiptit Abdel Fattah el-Sisi dhe ai i Katarit, Sheikh Tamim bin Hamad Al Thani, kanë thënë se nëse është e nevojshme janë të përgatitur të paraqesin një propozim përfundimtar lidhës që zgjidh çështjet e mbetura të zbatimit në një mënyrë që përmbush pritshmëritë e të gjitha palëve.

“Ne u kemi bërë thirrje të dyja palëve që të rifillojnë diskutimin urgjent të enjten, më 15 gusht në Doha ose Kajro për të mbyllur të gjitha boshllëqet e mbetura dhe për të filluar zbatimin e marrëveshjes pa vonesa të mëtejshme”.

Kësaj deklarate i është bashkuar edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

“Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani i bashkohet deklaratës më poshtë nga presidenti amerikan Joe Biden, ai i Egjiptit Abdel Fattah el-Sisi dhe ai i Katarit, Sheikh Tamim bin Hamad Al Thanii. Vuajtjet e njerëzve të pafajshëm duhet të ndalen!”, është thënë në njoftimin e Presidencës në “X”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një shtetas me iniciale B.I., 31-vjeçar është arrestuar në Prishtinë…