
Osmani i ndan ‘Medaljen Presidenciale Ushtarake’ gjeneralit gjerman, Christian Nawrat
Presidentja Vjosa Osmani ka takuar ditën e sotme shefen e operacioneve aktuale në selinë e NATO-s, Ariella Viehe, drejtorin në largim të NALT-it, gjeneralbrigade Christian Nawrat dhe drejtorin e ri, gjeneralbrigade dr. Sven Lange.
Në takim, presidentja ka shprehur mirënjohjen për mbështetjen e palëkundur të NALT-it në zhvillimin dhe avancimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Ministrisë së Mbrojtjes dhe institucioneve të tjera të sigurisë, në përputhje me standardet e NATO-s dhe të shteteve anëtare e partnere të saj.
Duke iu referuar vizitës së fundit të sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, presidentja Osmani ka nënvizuar rëndësinë e angazhimit të NATO-s për paqen, stabilitetin dhe sigurinë rajonale e globale dhe e vlerësoi lartë mesazhin e tij në mbështetje të Kosovës.
Siç është thënë në njoftimin e Presidencës, e para e vendit ka vlerësuar edhe kontributin e jashtëzakonshëm të gjeneral Nawrat gjatë mandatit të tij, në një periudhë të ndjeshme për sigurinë e vendit dhe rajonit.
“Ajo e falënderoi për angazhimin e tij profesional në ngritjen e kapaciteteve të FSK-së dhe për bashkëpunimin e frytshëm me institucionin e presidentes”, është thënë në njoftim.
Në shenjë mirënjohjeje për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në zhvillimin dhe avancimin e kapaciteteve të FSK-së dhe Ministrisë së Mbrojtjes, si dhe për bashkëpunimin e tij të ngushtë me institucionet e Kosovës, Presidentja i ndau gjeneral Nawratit Medaljen Presidenciale Ushtarake.
Ndërsa për gjeneralbrigade dr. Sven Lange, Osmani ka shprehur besimin e plotë se ai do të vazhdojë me sukses zbatimin e objektivave dhe projekteve të rëndësishme të NALT-it për avancimin e institucioneve të sigurisë së Kosovës dhe për forcimin e bashkëpunimit të ngushtë me NATO-n.