Osmani i përgjigjet Dimovskit: Pse i ndani çështjet në ‘shqiptare’ dhe ‘maqedonase’?

03 korrik 2022 | 15:16

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, i është përgjigjur letrës së hapur të Ilija Dimovskit nga VMRO-DPMNE.

Osmani e ka ftuar Dimovskin që mos të krijojë përçarje, por të punojnë bashkërisht në rrugëtimin e vendit drejt Bashkimit Evropian (BE).

“Kështu edhe këtë herë. Të kuptoj, por nuk pajtohem me mënyrën se si i ndani çështjet në ‘shqiptare’ dhe ‘maqedonase’, në vend që t’i trajtoni si një sfidë të përbashkët që ne i qasemi së bashku”, ka shkruar Osmani në llogarinë e vet në “Facebook”.

Osmani në përgjigjen e tij ka shpjeguar se identiteti maqedonas do të mbetet i paprekur.

“Për këtë do të sigurojmë që fjala maqedonas të tregojë përkatësinë etnike të bashkëkombësve tanë maqedonas dhe se askush, askund të mos mund ta kundërshtojë këtë më kurrë. Për këtë do të sigurohemi që vallet maqedonase, fshatrat maqedonase, folklori maqedonas, kënga maqedonase, epi maqedonase, të jenë pjesë e veçantisë etnike maqedonase dhe këtë askush mos ta kontestojë. Për këtë do të sigurohemi që e gjithë kjo të mos mbetet vetëm në kokën tonë, por të bëhet pjesë e nomenklaturës dhe komunikimit botëror”, ka shkruar Osmani.

Ministri Osmani ka thënë se edhe gjuha maqedonase do të mbetet gjuhë e pastër dhe e veçantë, gjuhë e barabartë me gjuhët tjera në BE.

“Edhe në kornizë, edhe në draft-konkluzionet edhe në të gjitha dokumentet, në momentin e fillimit të negociatave – gjuha maqedonase bëhet gjuhë zyrtare në të cilën do të komunikojë Bashkimi Evropian, pa asnjë fusnotë, yll, shpjegim, pa asgjë. Kjo gjuhë zyrtare më vonë, me anëtarësimin tonë në Union, bëhet gjuhë e pastër zyrtare e Unionit, njëlloj si gjermanishtja, frëngjishtja, madje edhe bullgarishtja dhe të gjitha gjuhët e tjera”, ka shkuar Osmani.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Skuadra e Vushtrrisë e ka zyrtarizuar transferimin më të ri.…