Osmani i përgjigjet Hillit: Kushdo që mendon se Serbia është më afër NATO-s i ofendon shtetet demokratike
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se Serbia as nuk mund të ëndërrojë që të jetë një ditë pjesë e NATO-s.
Pas konferencës në “Javën e Gruas” të organizuar nga NDI, ajo ka thënë se kushdo që e konsideron Serbinë si shtet që është afër NATO-s, nuk e ofendon vetëm çdo shtet që po bën hapa konkret drejt anëtarësimit drejt NATO-s, por i ofendon edhe viktimat e Serbisë së Millosheviqit.
Krye reagim i Osmanit vjen pasi ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill, ka deklaruar për mediet serbe se aktualisht Serbia është më afër NATO-s se Kosova.
“Ekziston vetëm një shtet që është më larg NATO-s se sa Serbia dhe ai është Rusia e Putinit. Një shtet si Serbia i cili vazhdimisht ka shkelur vlerat kryesore mbi të cilat qëndron NATO-ja, mbrojtjen nga forcat autoritare, mbrojtjen nga shtetet të cilat shkelin rregullat bazike të së drejtës ndërkombëtare siç është Serbia, lërë që është larg NATO-s, por as nuk mund të ëndërrojë një ditë të jetë pjesë e NATO-s”.
“Serbia vetë për shkak se pikërisht është antivlerave të NATO-s, nuk ka shprehur ndonjëherë gatishmëri që të anëtarësohet në NATO, është i vetmi shtet i Ballkanit Perëndimor që vazhdimisht ka deklaruar se nuk do të anëtarësohet në NATO sepse është kundër NATO-s. E treta, Serbia është një shtet i cili para pak muajsh ka kryer akt agresioni kundër Kosovës, vazhdimisht tenton ta shkatërrojë Bosnjën dhe Hercegovinën për brenda, dhe të njëjtën e bën edhe me Malin e Zi. Kjo nënkupton se Serbia është një shtet njësoj si Rusia që lërë që shkel parimet dhe vlerat e fqinjësisë së mirë, por ndërmerr veprime konkrete dhe të dhunshme duke i konsideruar shtetet përreth si të përkohshme e jo si shtete të përhershme që në fakt jemi. Serbia është shtet që kurrë nuk u ballafaqua me te kaluarën gjenocidale. Një shtet që ka kryer gjenocid, një shtet që ka kryer krime kundër njerëzimit dhe shtet që ka kryer krime lufte dhe akoma fle mbi varreza masive. Kushdo që e konsideron Serbinë si shtet që është afër NATO-s, nuk e ofendon vetëm çdo shtet që po bën hapa konkret drejt anëtarësimit në NATO, por i ofendon edhe viktimat e Serbisë së Millosheviqit që është njëjtë sot siç ka qenë para disa dekadave”, ka thënë Osmani.