Osmani: I përjetshëm kujtimi për heronjtë e Koshares
“9 prilli është ditë e veçantë në historinë e re të Kosovës. Beteja e Koshares tregoi se pabarazia në armatim nuk është çelësi përcaktues i luftërave. Shpirti luftarak i vajzave e djemve të UÇK-së, vendosmëria për ta parë vendin të lirë dhe gatishmëria për të sakrifikuar gjithçka ishin më të fuqishme se çfarëdo arsenali ushtarak”, kështu ka shkruar presidentja Vjosa Osmani në llogarinë e saj në “Facebook” me rastin e 23-vjetorit të betejës së Koshares.
Ajo ka thënë se sot përkujtojmë këtë betejë si njërën ndër momentet më krenare të historisë sonë të re.
“Ajo dëshmoi se liria nuk ka çmim dhe se vendosmëria për ta arritur atë dhe shpirti i një populli janë të pathyeshme. Thyerja e kufirit në mes të Kosovës dhe Shqipërisë më 9 prill të vitit 1999, shënoi jo vetëm një fitore për vajzat e djemtë e UÇK-së, por edhe për gjithë popullin e Kosovës”.
“Ne u falemi atyre, sakrificës së Agim Ramadanit, Sali Çekajt, Xhemajl Fetahut dhe mijëra dëshmorëve të tjerë që ranë për lirinë e Kosovës. Ata qëndrojnë në themele të lirisë dhe të shtetësisë sonë. I përjetshëm kujtimi për heronjtë e Koshares!”, ka thënë presidentja Osmani.