Osmani i reagon Vuçiqit rreth koalicionit LDK-LV
Nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Vjosa Osmani, ka reaguar ndaj një deklarte të presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, në lidhje me koalicionin e ardhshëm qeverisës në Kosovë.
Osmani në llogarinë e vet në “Facebook” ka shkruar se LDK-ja nuk i punon askujt pas shpine.
“Të gjithë ne në LDK jemi të angazhuar që Qeveria e ardhshme LDK-VV të krijohet si partneritet mes të barabartëve dhe si marrëveshje ku mirëbesimi është alfa dhe omega e bashkëpunimit tonë. Vucic dhe disa të tjerë që po përpiqen e po investojnë në prishjen e një partneriteti të tillë do të përfundojnë duarthatë”, ka shkruar Osmani.
Postimi i plotë i Osmanit:
Jo rastësisht Aleksandër Vuçiq ishte ministër i propagandës në kohën e Millosheviqit. Pikërisht këtë, propagandën pra, e bënë më së miri. Kështu, për fat të keq, ka arritur të mashtrojë disa diplomatë anekënd botës, të cilët i besojnë lotëve të tij të krokodilit dhe aktrimit të tij dramatik sa herë flitet për Kosovën. Por, askush në Kosovë nuk duhet të bie pre e konspiracioneve të Vuçiqit.
Lidhja Demokratike e Kosovës e ka ndërtuar dhe ka insistuar për parimin në bazë të të cilit kushdo që i fiton zgjedhjet edhe e propozon Kryeministrin.
LDK nuk i punon askujt pas shpine e aq më pak nëpërmjet lojërave që janë produkt i mendjeve konspiracioniste siç është ajo e Vuçiqit. Të gjithë ne në LDK jemi të angazhuar që Qeveria e ardhshme LDK-VV të krijohet si partneritet mes të barabartëve dhe si marrëveshje ku mirëbesimi është alfa dhe omega e bashkëpunimit tonë.
Vuçiqi dhe disa të tjerë që po përpiqen e po investojnë në prishjen e një partneriteti të tillë do të përfundojnë duarthatë.
/Epoka e re/