Osmani: Integrimi i grave dhe vajzave, synim i përditshëm i yni
Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK) ka mbajtur të mërkurën konferencën me temën: “Dita e hapur globale e Kombeve të Bashkuara për gratë, paqen dhe sigurinë”.
Në këtë konferencë, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është shprehur se në Kosovë më 22-23 tetor do të mbahet forumi për gratë në paqe dhe siguri.
Më tutje, Osmani ka thënë se institucionet aktuale e kuptojnë rëndësinë e integrimit të fuqizimit të grave dhe vajzave në çdo sektor e strategji pa dallim. “Integrimi i vajzave dhe grave është një synim i përditshëm dhe këtë mund ta arrijmë kur garantojmë barazi në të gjitha fushat. Ne e kuptojmë se ky mund të jetë rrugëtim i gjatë dhe i vështirë por vullneti ekziston dhe vizioni gjithashtu. Ne kemi nevojë për më shumë gra në pozita udhëheqëse. Gratë mund ta bëjnë këtë, shoqëria jonë ka nevojë për këtë”, ka thënë Osmani.
Ndërsa Caroline Ziadeh, përfaqësuese speciale e sekretariatit të përgjithshëm të OKB-së, ka thënë se pjesëmarrja e grave kontribuon në shoqëri demokratike dhe zhvillim përfshirës e ngritje të paqes të qëndrueshme.
Në anën tjetër, Ulrika Richardson, koordinatore e Kombeve të Bashkuara për Zhvillim, ka thënë se që 22 vjet janë duke folur për rezolutën e Këshillit të Sigurimit dhe “ende jemi duke folur dhe në të vërtetë nuk po i shohim rezultatet jemi shumë larg por duhet të shtyjmë përpara”. “Ballkani Perëndimor ka zgjedhur paqen si rrugë të vet dhe nuk ka kthim prapa, por për këtë udhëtim drejt avancimit të ecjes i duhen gratë. Ato duhet të jenë pjesë e udhëtimit. Kam qenë e impresionuar nga katër vitet nga cilësia dhe vendosmëria dhe pasioni i lëvizjes së grave në Kosovë dhe rajon”, ka thënë ajo.