Osmani: Investimi në arsim duhet të jetë prioritet mbi prioritetet
Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, ka uruar nxënësit dhe mësimdhënësit për fillimin e gjysmëvjetorit të dytë shkollor.
Osmani ka thënë se investimi në arsim duhet të jetë prioritet mbi prioritetet, pasi sipas saj vetëm në këtë mënyrë mund të krijohet një ekonomi të qëndrueshme, një shoqëri stabile dhe një shtet i fortë.
“Të dashur nxënës, prindër e mësimdhënës, sot keni nisur gjysmëvjetorin e dytë, megjithëse në rrethana më specifike, shkaku i pandemisë Covid-19. Një ditë domethënëse, një rifillim për të zënë dije.
Përpara keni një periudhë me plot angazhime e sfida. Investimi në arsim duhet të jetë prioritet mbi prioritetet, sepse vetëm në këtë mënyrë do të mund ta krijojmë një ekonomi të qëndrueshme, një shoqëri stabile dhe një shtet të fortë. Në rrugën e dijes ju do të vendosni themelet e të ardhmes. Do të aftësoheni të merrni vendime për veten e më pas edhe për të tjerët. Në këtë gjysmëvjetor uroj që secili nga ju të ndihet krenar për arritjet. Duke ju inkurajuar për sa më shumë përkushtim në çdo ditë të mësimit, uroj për një fillim të mbarë dhe një përmbyllje me sukses!”, ka shkruar Osmani në llogarinë e vet në “Facebook”.