Osmani: Katari, partner i besueshëm i Kosovës
Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, e ka takuar kryetarin e Kuvendit të Katarit, Hassan bin Abdulla Al-Ghanim, me të cilin ka biseduar për thellimin e bashkëpunimit dypalësh në mes të dy vendeve tona.
Osmani e ka falënderuar atë për mbështetjen e vazhdueshme të shtetit të Katarit.
Në takim është theksuar gatishmëria për ta forcuar bashkëpunimin ndërshtetëror në fusha të ndryshme duke përfshirë ekonominë, energjetikën dhe bujqësinë.
E para e shtetit të Kosovës dhe kreu i Kuvendit të Katarit kanë këmbyer mendimet për ndikimin e agresionit rus kundër Ukrainës në kontinentin evropian dhe rajonin tonë, sigurinë energjetike dhe atë të ushqimit.
Presidentja Osmani ka bërë thirrje për rritje të bashkëpunimit ndërparlamentar si një mjet i fuqishëm bashkëpunimi mes dy shteteve.
“Si dy vende mike, Kosova dhe Katari mbeten partnerë të besueshëm dhe të përkushtuar për të thelluar raportet bilaterale”, ka njoftuar Presidenca e Kosovës.