Osmani: Kërkojmë përgjegjësi për krimet që po bën Putini
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i është bashkuar protestës solidarizuese me popullin e Ukrainës, i cili po përballet me agresionin nga Rusia.
Para gazetarëve, presidentja Osmani ka thënë se në këto momente i janë bashkuar botës demokratike, jo vetëm për ta dënuar agresionin rus mbi Ukrainën, por edhe për të kërkuar përgjegjësi për krimet që po i kryen siç ka thënë ajo, krimineli i luftës, diktatori Vladimir Putin.
“Natyrisht që ajo çfarë po përjeton populli i Ukrainës në këto momente na rikthen kujtimet e plagëve të rënda që janë shkaktuar mbi secilin qytetar të Kosovës gjatë viteve të ’90-ta nga regjimi gjenocidial i Serbisë. Prandaj edhe jemi bashkuar botës demokratike jo vetëm për ta dënuar agresionin rus mbi Ukrainën por edhe për të kërkuar përgjegjësi për krimet qe po i kryen krimineli i luftës, diktatori Putin”, ka thënë Osmani.
Më tutje, Osmani ka thënë se beson që është e bindur që do të triumfojë liria dhe demokracia.
“Institucionet tona kanë treguar gatishmëri që të gjitha ato kapacitete që i kemi dhe që kanë ndërtuar në ndërkohë për pritjen e refugjatëve nga Ukraina t’i shfrytëzojmë… Kosova ka treguar gatishmëri që t’i jep mbështetje dhe mikpritje edhe gazetarëve nga Ukraina në mënyrë që ata jo vetëm të vendosen në Kosovë por edhe të vazhdojnë ta kryejnë punën e gazetarisë e raportimit këtu nga një vend u sigurte, pra nga republika e Kosovës”.
“Është me rëndësi që zëri ynë të dëgjohet në çdo kënd të botës, se çfarë ndodh kur diktatorët ledhatohen dhe se sa e nevojshme është ndihma e aleatëve tanë perëndimorë dhe shteteve të tjera paqedashëse në raport me popullin e Ukrainës”, ka thënë Osmani.