Osmani kërkon nga Serbia lirimin e menjëhershëm të tre zyrtarëve policorë
Presidentja Vjosa Osmani, ka thënë se kidnapimi i tre zyrtarëve policorë brenda territorit të Republikës së Kosovës është agresion nga ana e Serbisë.
Me këtë rast, Osmani ka kërkuar lirimin e menjëhershëm të tyre dhe pas asnjë kusht.
“Kidnapimi i tre zyrtarëve policorë brenda territorit të Republikës së Kosovës është agresion nga ana e Serbisë. Zyrtarët policorë duhet të lirohen menjëherë dhe pa asnjë kusht! Akti i sotëm dëshmon se Serbia vazhdon të veprojë me logjikën e së kaluarës, tendencat hegjemoniste të së cilës kanë shkaktuar krime të tmerrshme dhe shumë viktima”, ka shkruar Osmani në “Facebook”.
Më tutje, Osmani ka thënë se akti i sotëm dëshmon edhe njëherë që Serbia nuk është e interesuar për paqe e stabilitet në rajon, por për të shkaktuar destabilizim të Kosovës dhe gjithë rajonit.
“Policia e Kosovës ka treguar përkushtim e vendosmëri për ta ruajtur rendin dhe ligjin për të gjithë qytetarët pa dallim, ndaj një akt i tillë kërkon një reagim të ashpër dhe veprim të unifikuar të komunitetit ndërkombëtar ndaj tendencës së Serbisë për destabilizim të rajonit”, ka shkruar Osmani, duke shtuar se institucionet e Kosovës nuk do të heqin dorë nga angazhimi për sundimin e ligjit.