Osmani kërkon nga trupat e Kuvendit interpretim ligjor për mandatin e deputetit Arifi

05 maj 2020 | 19:46

Pas raportimit në media se deputeti Etem Arifi, ishte dënuar nga Gjykata Themelore e Prishtinës me 1 vit e 3 muaj burgim për mashtrim me subvencione, kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, menjëherë e ka adresuar këtë çështje në instancat përkatëse meqë deri në ato momente Kuvendit nuk i ishte dërguar asnjë njoftim zyrtar lidhur me këtë rast.

Përmes një komunikate për media bëhet e ditur se Osmani i ka dërguar letër Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe Gjykatës së Apelit, nga të cilat ka kërkuar që t’i përcillen në Kuvend aktgjykimet nga të gjitha instancat gjyqësore për rastin e deputetit Etem Arifi.

“Kuvendi i Kosovës, më 1 maj e ka pranuar kopjen elektronike ndërkaq më 4 maj kopjen fizike të dokumentacionit të kërkuar nga institucionet përgjegjëse. Ndaj, po të njëjtën ditë kryetarja Osmani ka kërkuar nga Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsion, i cili sipas fushëveprimtarisë së tij të ofrojë një opinion ligjor në lidhje me mandatin e deputetit Arifi. Një opinion ligjor, kryeparlamentarja Osmani e ka kërkuar edhe nga Zyra Ligjore e Kuvendit”, thuhet në komunikatën e Kuvendit të Kosovës.

Sipas kësaj komunikate, pasi që ta ketë përgjigje nga Komisioni për mandate dhe Zyra Ligjore, Osmani çështjen e deputetit do ta trajtojë në procedurë të rregullt në Kryesinë e Kuvendit.

“Siç mund të jeni vënë në dijeni, më 20 prill 2018, Etem Arifi ishte dënuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë me dy vjet burgim me kusht, pasi ai ishte shpallur fajtor për veprën penale të mashtrimit me subvencione. Dënimi i Arifit, ishte konfirmuar edhe me Aktgjykimin e Gjykatës së Apelit, të datës 20 gusht 2019, me të cilin dënimi me burgim ishte ulur në një vit e tre muaj. Kurse, më 30 janar 2020, Kolegji i Gjykatës Supreme ka vendosur që ta refuzojë si të pabazuar, kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë, të paraqitur nga mbrojtja e Arifit, e ushtruar kundër aktgjykimeve të Gjykatës Themelore të Prishtinës dhe asaj të Apelit”, thuhet në letrën e kryeparlamentares.

Në letrën e saj, Osmani ka theksuar se më 30 prill 2020, përfaqësuesi i autorizuar i Etem Arifi ka dorëzuar në Kuvend një memorandum sqarues përmes së cilit paraqet qëndrimin e Arifit lidhur me rastin në fjalë dhe implikimet potenciale rreth mandatit të tij si deputet.

Tutje, Osmani ka përmendur nenin 70, paragrafi 3, pika (6) të Kushtetutës së Kosovës, sipas të cilit mandati i deputetit mbaron ose bëhet i pavlefshëm, nëse dënohet me vendim gjyqësor të formës së prerë për vepër penale me një ose më shumë vjet burgim.

“Njëjtë rregullohet edhe në Ligjin nr.03/L-111 për të Drejtat dhe Përgjegjësitë e Deputetit, specifikisht në nenin 8, pika 1.6 të këtij ligji, si dhe në nenin 25, pikën (d) të Rregullores së Kuvendit”, thuhet në komunikatë.

“Duke pasur parasysh këto shkresa, luteni që të jepni interpretimin tuaj lidhur me mandatin e deputetit Arifi”, përfundon letra e kryreparlamentares Osmani.​  (A. M / Epoka e re)

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka…