Osmani kërkon unitet politik për Asociacionin: Bashkërisht duhet t’i përgatisim komentet

15 dhjetor 2023 | 12:12

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka kërkuar unitet të spektrit politik të Kosovës për çështjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Në adresimin e saj vjetor para Kuvendit të Kosovës, ajo ka thënë se spektri politik bashkërisht duhet t’i përgatisë komentet për statutin e Asociacionit dhe t’i dërgojnë ato në Gjykatën Kushtetuese.

Pavarësisht se fjalimi i saj u bojkotuar nga PDK-ja dhe AAK-ja, Osmani ka thënë se faktori politik duhet të bëhet bashkë për çështje të rëndësishme për vendin.

Ajo ka thënë se vetëm Gjykata Kushtetuese është kompetente ta jap vlerësimin për kushtetutshmërinë e statutit të Asociacionit.

“Kosovës i është dorëzuar një propozim, draft-statut për një Asociacion të komunave me shumicë serbe i hartuar nga partnerët tanë. Përderisa vlerësimi i hartuesve është se drafti i tillë është në harmoni me Kushtetutën e Kosovës dua të ritheksoj se institucioni që do të duhej ta bëj këtë vlerësim, duke u udhëhequr nga primi i pavarësisë dhe profesionalizimit, është Gjykata Kushtetuese. Është me rëndësi që të gjithë ne, pa dallime partiak të ulemi dhe bashkarish të përgatisim komentet tona bazuar në shqetësime që mund t`i kemi dhe ti dërgojmë ato në Gjykatë Kushtetuese kurdo që ky draft të dorëzohet para këtij institucioni”, ka thënë Osmani.

Presidentja Osmani ka thënë se vetëm në këtë mënyrë mund të shmangen shqetësimet.

“Qëllimi ynë i përbashkët duhet të jetë që të sigurojmë përputhshmëri të plotë me Kushtetutën e Kosovës dhe mos të lejojmë një pushtet të ndërmjetëm te qeverisjes apo anomali tjera të cilat rrezikojnë funksionimin e brendshëm të shtetit tonë”, ka thënë ajo.

Në funksion të këtij qëllimi, ajo ka thënë se tashmë ka ftuar liderët e opozitës për takim.

 

“Në mënyrë që qëllimet tona të përbashkët të përkthehen edhe në veprime të përbashkëta, përveç konsultimeve të vazhdueshme me kryeministrin dhe kryeparlamentarin, kam ftuar në takim edhe liderët e partive opozitare me qëllim që për këtë temë sfiduese të ndërtojmë një qëndrim të unifikuar në mbrojtje të funksionimit të Republikës sonë”, ka thënë Osmani.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, ishte i ftuar në kanalin…