Osmani: Koalicionin LDK-LV e presin shumë sfida

09 tetor 2019 | 12:59

Kandidatja për kryeministre nga LDK-ja, Vjosa Osmani, ka falënderuar votuesit e kësaj partie për mbështetjen që i kanë dhënë në zgjedhjet e 6 tetorit.

Osmani në llogarinë e vet në “Facebook”, ka shkruar se qytetarët kanë votuar që opozita ta drejtojë Qeverinë e re.

Ajo ka theksuar se koalicionin LDK-LV, e presin shumë sfida.

“Qytetarët, poashtu, përcaktuan qeverinë e re, e cila duhet të përbëhet nga opozita e deridjeshme. Për mua nuk ka asnjë alternativë tjetër. Koalicioni LDK-VV ka shumë sfida para vetes, por duhet ta ketë vetëm një interes: atë të qytetarëve të Kosovës”, ka shkruar ajo.

Postimi i plotë i Osmanit:

Të dashur qytetarë të vendit tim,

Këtë vjeshtë janë mbushur plot 20 vjet që jam bërë anëtare e LDK-së dhe gati po aq që kam shërbyer në institucionet e Kosovës. Ka qenë rrugë jo e lehtë, plot pengesa e sfida, sikur për shumë të rinj e të reja në vendin tonë. Deri tani, ishte një rrugëtim i jashtëzakonshëm, përgjatë të cilit kam takuar mijëra gra e burra, vajza e djem, qytetarë të mirë të këtij vendi që më kanë mbushur plot shpresë për të ardhmen.

I falënderoj miliona herë, nga thellësia e zemrës, të gjithë që na përkrahën e besuan në ne, si dhe të gjithë aktivistët e veprimtarët që kurrë nuk reshtën së punuari me vetëmohim. Arritëm që të gjithë së bashku, por për një kohë tejet të shkurtë prej vetëm një muaji, ta ringrisim LDK-në në një rezultat që nuk e kishte nga viti 2004. Por, na mbetet edhe shumë punë për të bërë, edhe shumë sfida për të kaluar, e ato mund t’i kalojmë vetëm së bashku.

Më në fund, qytetarët, jo vetëm që votuan, por, ajo votë ishte thirrje për ndryshim e ndëshkim ndaj qeverisjes së keqe. Qytetarët, poashtu, përcaktuan qeverinë e re, e cila duhet të përbëhet nga opozita e deridjeshme. Për mua nuk ka asnjë alternativë tjetër. Koalicioni LDK-VV ka shumë sfida para vetes, por duhet ta ketë vetëm një interes: atë të qytetarëve të Kosovës.

Unë do të punoj dhe do t’i shërbej vendit tim, pavarësisht se ku jam.

Ashtu siç e kam thënë gjithnjë: në secilën betejë, do të jemi së bashku, deri në fund!

E juaja,
Vjosa

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Për përballjen ndaj Turqisë, Shqipëria nuk do të ketë në…