Osmani: Kosova diskuton në dialog për çështjen e të pagjeturve jo për statusin e saj
Presidentja Vjosa Osmani tha se ka njoftuar presidentin slloven, Borut Pahor se Kosova do të ulet në tavolinën e dialogut me Serbinë, por nuk do të pranoj që çështja e kufijve të diskutohet.
“Prandaj unë e potencova gatishmërinë e Kosovës të jetë pjesë e dialogut duke e pasur parasysh që statusi jonë është përcaktuar më 17 shkurt e gjithashtu edhe kufijtë. Kosova do të ulet në tavolinë për të diskutuar për çështje të rëndësishme siç është çështja e personave të pagjetur”, u shpreh ajo në një konferencë të përbashkët me homologun e saj slloven.
Më tej, Osmani tha se ka koordinim të plotë mes institucioneve lidhur me padinë për gjenocid ndaj Serbisë.Osmani tha se në Kosovë është kryer gjenocid dhe se për padinë duhet përgatitje e thellë dhe konsultim me ekspertë.
Tutje, presidentja Osmani tha se gjatë takimit me presidentin Pahor ka potencuar se liberalizimi i vizave do të forconte kredibilitetin e Bashkimit Evropian në Kosovë.
“Diskutuam për përshpejtim të integrimin evropian të gjithë rajonit tonë. Kosova e ka prioritet integrimin evropian, prandaj reformat që duhet të merren për këtë proces ne nuk i shohim si imponim por reforma në të mirë të qytetarëve tanë. Natyrisht e potencuam që Kosova ka plotësuar kriteret për liberalizimin e vizave, dhe tani është në një pritje të gjatë dhe fatkeqësisht qytetarët tanë po presin. Liberalizimi i vizave do ta ngriste kredibilitetin e BE-së në Kosovë”.
Ajo ka thënë se Kosova ka nevojë për ndihmën e Sllovenisë sa i përket sigurimit të vaksinave anti-Covid.
“Për pandeminë, akoma kemi nevojë për mbështetje, shpresoj shumë që Sllovenia do ta ndihmojë Kosovën, siç thotë populli ynë, ‘miku i mirë gjendet në kohë të vështira’, dhe shpresoj që Sllovenia do të vazhdojë ta bëjë këtë”. /EO/