Osmani: Kosova duhet të ketë draftin e saj për Asociacionin
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë të martën se një draft i Asociacionit të komunave me shumicë serbe duhet të prezantohet nga ana e Kosovës.
“Pritjet e mia si presidente, është që Republika e Kosovës ta ketë draftin e saj sepse ne nuk guxojmë që të lejojmë që drafti i të ashtuquajturit ekip menaxhues që në realitet është draft i Vuçiqit, të bëhet bazë e negociatave, pra ta kemi draftin tonë i cili që është në përputhje të plotë me Kushtetutën dhe siguron që nuk preket as sovraniteti, as integriteti territorial”, i ka thënë mediave Osmani.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, takohen sot në Bruksel për një rund të ri bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve.
Zyrtarë të BE-së kanë konfirmuar se në agjendën e takimit të sotëm pritet të jenë dy çështje kryesore: miratimi i Deklaratës për të Zhdukurit dhe paraqitja e draftit të parë për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.
Më herët nga Qeveria e Kosovës, është bërë e ditur se një draft i statutit të Asociacionit pritet të prezantohet në Bruksel nga i ashtuquajturi grup menaxhues që është themeluar në bazë të marrëveshjes së parë në lidhje me Asociacionin të nënshkruar më 2013 mes dy vendeve.
Marrëveshja për Asocacionin nuk është zbatuar kurrë, pasi Serbia këmbëngul në kompetenca të gjera për Asociacionin, ndërsa Kosova thotë se ato kompetenca do ta rrezikonin funksionalitetin e shtetit.
Në anën tjetër, sa i përket pikës tjetër të takimit që ka të bëjë me personat e zhdukur nga lufta e fundit në Kosovë, Osmani u citua të ketë thënë se miratimi i një deklarate për këtë çështje është shumë e rëndësishme.
“Kjo është një hap i rëndësishëm në procesin e dialogut me Serbinë sepse do ta detyrojë Serbinë që t’i hap arkivat, aty ku gjinden edhe arkivat e qindra mijëra të luftës së fundit në Kosovë. Natyrisht kemi shumë dyshime në atë se çfarë do të zbatojë Serbia, megjithatë shpresojmë që pas nënshkrimit të kësaj deklarate të përbashkët nëse nuk bllokohet nga ana e Serbisë, do të përfundojë sot”, tha Osmani.