Osmani: Kosova humb 400 mijë euro në ditë nga aferat korruptive
Kandidatja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për kryeministre, Vjosa Osmani, ka thënë të dielën në Keqekollë, se Kosova humb 400 mijë euro në ditë nga aferat korruptive.
Ajo ka folur edhe për premtimet e oponentëve të saj politikë.
“Të tjerët që ju premtojnë Zvicra dhe kanë parulla kundër korrupsionit, ata janë vetë sinonim i korrupsionit. Të tillët nuk i duhen Gollakut dhe as Kosovës. Ata japin fjalë të mëdha, por kurrë asnjë punë të mirë për Kosovën nuk e kanë bërë. Prandaj nuk meritojnë një shans të dytë”, ka thënë Osmani.
Para qytetarëve të Gollakut dhe gjithë qytetarëve të Kosovës, ajo është zotuar se asnjë cent i buxhetit gjatë qeverisë së saj nuk do të keqpërdoret.
“Asnjë cent i taksave tuaja nuk do të keqpërdoret. Atëherë kur nuk keqpërdoren taksat tuaja, puna juaj, atëherë taksat ju kthehen qytetarëve. Atëherë kur bizneset përkrahen dhe nuk ju kërkohet haraç, nuk ju bëhet presion, atëherë nëpërmes tyre do t’ju ndihmojmë juve. Taksat e juaja do të shfrytëzohen për arsim më cilësor, për shëndetësi e cila shëron qytetarët, dhe jo siç është aktualisht”, është shprehur Osmani