Osmani: Kosova ka potencial të jashtëzakonshëm të të rinjve

23 qershor 2021 | 12:02

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në kuadër të vizitës zyrtare në Austri, ka takuar anëtarët e shoqatës së miqësisë Kosovë – Austri, ka mbajtur një ligjëratë në Akademinë Diplomatike në Vjenë dhe ka takuar një grup të grave të suksesshme austriake, me ftesën e Zonjës së Parë të Austrisë, Doris Schmidauer.

Përgjatë takimit me shoqatën e miqësisë Kosovë – Austri, të udhëhequr nga eurodeputeti Lukas Mandl,  presidentja Osmani ka falënderuar shtetin e Austrisë për mbështetjen ndaj Kosovës në faza të ndryshme përgjatë historisë.

Ajo ka theksuar se Kosova tashmë i ka plotësuar të gjitha kriteret për liberalizim vizash, ndaj ka kërkuar nga BE-ja që t’i përmbahet premtimit për kosovarët.

Më tutje, presidentja Osmani ka shfaqur bindjen se Austria do të vazhdojë t’i qëndrojë në krah Kosovës edhe në procesin e integrimit evropian, sikurse edhe në atë të të integrimit euroatlantik.

“Republika e Kosovës ka potencial të jashtëzakonshëm  të të rinjve, të cilët janë të shkolluar dhe të aftë për t`i dëshmuar  vlerat e tyre sapo t’u jepet mundësia. Duhet të sigurojmë mobilitet dhe të ndërtojmë partneritet të fuqishëm”, ka theksuar Osmani në takim me Grupin e Miqësisë Kosovë-Austri.

Në këtë kontekst, ajo ka përmendur edhe rolin e diasporës shqiptare në shtetin austriak.“Diaspora jonë këtu ka rol qenësor për Republikën e Kosovës, shkaku i potencialit, dijes dhe ideve të reja që sjellin”, është shprehur presidentja Osmani.

Presidentja Osmani ka takuar edhe një grup të grave të suksesshme në Austri, nën organizimin dhe me ftesë të Zonjës së Parë të Austrisë, Doris Schmidauer, ku morën pjesë edhe ministrja e Drejtësisë në Qeverinë e Austrisë, Alma Zadic, ish-raportuesja e Parlamentit Evropian për Kosovë, Ulrike Lunaçek, si dhe gra nga fusha e biznesit, akademia, politika e shoqëria civile.

Në këtë takim është diskutuar edhe për sfidat dhe mundësitë me të cilat përballen gratë në sektorin publik dhe privat, si dhe në shoqëri në përgjithësi. Presidentja Osmani ka diskutuar edhe për rolin e grave në sjelljen e një ndryshimi të rëndësishëm politik dhe ka shprehur nevojën për investime në arsim dhe kujdes shëndetësor për të mundësuar dhe fuqizuar gratë që të jenë të barabarta në tregun e punës, si dhe nevojën për të krijuar më shumë vende pune për të rinjtë dhe gratë.

Në përmbyllje të ditës së parë të vizitës në Austri, presidentja Osmani ka mbajtur ligjëratë në Akademinë Diplomatike në Vjenë, me temën “Forcimi i shtetësisë së Kosovës-sfidat dhe storiet e suksesit”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sot në ambientet e Ministrisë së Drejtësisë, Ministrja e Drejtësisë,…