Osmani, kryediplomatit italian: Perspektiva evropiane, orientim strategjik i popullit të Kosovës

11 shkurt 2020 | 17:18

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur të enjten në takim ministrin e Jashtëm të Italisë, Luigi Di Maio, me të cilin ka diskutuar për çështjet e bashkëpunimit dypalësh, si dhe procesin e integrimit të rajonit në Bashkim Evropian (BE).

Ajo ka shprehur mirënjohjen e popullit dhe të institucioneve të Republikës së Kosovës për ndihmën që Italia, si vend mik, ia ka ofruar Kosovës në periudhat më të vështira të saj, por po vazhdon t’ia ofrojë edhe në kohën e konsolidimit të shtetësisë së saj.

“Kemi plane shumë ambicioze për zhvillim. Duam që pritjet e qytetarëve tanë t’i realizojmë me përpikëri, prandaj kemi nevojë për thellim të partneritetit me miqtë tanë”, ka thënë Osmani.

Sipas saj, perspektiva evropiane është orientim strategjik i popullit të Kosovës.

“Përcaktimi ynë për integrim në strukturat euroatlantikë mbetet synim jetik i popullit të Kosovës”, ka deklaruar Osmani.

Ndërsa ministri Di Maio, pasi ka shprehur urimet për përzgjedhjen Osmanit në krye të institucionit më të lartë përfaqësues, ka theksuar se lidhjet me Kosovën, si vend me të cilin i lidh brezi mediteran, janë të shumëfishta dhe se Qeveria e Italisë dhe ai si ministër i Jashtëm dëshirojnë që raportet e mira ndërmjet dy vendeve të thellohen edhe më tej.

Më tutje, ai ka ftuar kryeparlamentaren Osmani që ta vizitojë së shpejti Italinë.

Di Maio ka thënë se Italia përkrah institucionet e Republikës së Kosovës në synimin e tyre për reforma, zhvillim ekonomik dhe krijim të perspektivës për të rinjtë e vendit.

“Investimi në teknologjitë e reja është një mënyrë për t’ua siguruar të ardhmen të rinjve të Kosovës”, ka thënë ministri Di Maio.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Lionel Messi është rikthyer të bëjë kapitenin, jo vetëm në…