Osmani: Kufijtë e Kosovës janë përcaktuar në vitin 2008
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë në takimin e sotëm me homologun e saj slloven, kanë diskutuar për përgatitjet e nevojshme për procesin e Brdu-Brijuni dhe nevojën për përshpejtimin në integrimin evropian.
“E sigurova presidentin qe Kosova e ka prioritet integrimin evropian. Reformat që duhet të ndërmerren nuk i shohim si të imponuar por për nevojën e qytetarëve tanë. E potencuam qartë që Kosova i ka plotësuar kriteret për liberalizimin të vizave. Jo që ka plotësuar kriteret, por dyfishin e tyre. Është një pritje e gjatë dhe i mbetet BE-së të mbajë premtimin. E njoftova presidentin për faktin që akoma kemi nevojë për mbështetje sa i përket vaksinave. Shpresoj qe Sllovenia që ndihmojë Kosovën, sepse siç thotë edhe populli ynë ‘miku i mirë gjendet në ditë të vështira’”, tha ajo.
Pas më shumë se një orë takim me homologun slloven, Borut Pahor, presidentja Osmani ka thënë se pret nga Sllovenia që të vazhdojë bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes dhe arsimit.
“Kufijtë tonë janë përcaktuar në vitin 2008. Kosova do të ulet në tavolinë për të trajtuar tema që janë të rëndësishme për vendin tonë”, tha ajo.
Në konferencën e përbashkët për media, presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor ka deklaruar se do të këshillohen mbi vështrimet dhe perspektivën evropiane.
“Do të provojmë të shohim se a mund të themi diçka më optimiste sa i përket perspektivës evropiane të shteteve të Ballkanit. Në aspektin e paqes dhe sigurisë, në zonën e Ballkanit Perëndimor është me rëndësi që të vihet deri në një qëndrim të BE-së se zgjerimi është domosdoshmëri gjeopolitike e karakterit primar. BE duhet të përshpejtojë këtë proces dhe ta shohë këtë hapësirë si tërësi”, tha ai.
“Pushteti i ri në Kosovë duhet të jetë i gatshëm me tërë fuqinë që t’i jep dialogut një nxitje të re… Të hënën para fillimit të samitit do të bëjmë bisedimet e fundit që ky takim të jetë një mesazh i fuqishëm për BE-në”, ka shtuar ai.
Pahor vjen për vizitë në Kosovë, pas publikimit të “non-paper” në shtetin e tij slloven muajin e kaluar. Ai po ashtu gjatë ditës së djeshme ka deklaruar se dëshiron të këshillohet para samitit të udhëheqësve në Brdo – Brijuni më 17 maj.