Osmani kujton masakrën e Belegut ku u vranë 46 shqiptarë
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka kujtuar masakrën e Belegut në Deçan, në përvjetorin e 25, ku u vranë 46 shqiptarë.
“Të rrethuar në oborrin e një shtëpie në Beleg të Deçanit, 25-vjet më parë forcat policore, ushtarake dhe paramilitare të regjimit gjenocidal të Serbisë, pasi që iu ndanë burrat dhe të miturit nga gratë, vranë dhe masakruan 46 shqiptarë. Fati i një pjesë të të zhdukurve me dhunë, mbetet ende i pazbardhur, ndaj krahas kujtimit për martirët, zbardhja e fatit të të zhdukurve me dhunë mbetet përkushtim i çdoditshëm. Në të njëjtën ditë dhe në të njëjtën mënyrë u vranë shqiptarë edhe në lagjen Bair të Mitrovicës, në Dumnicë të Vushtrrisë dhe në Poterq të Klinës. Qoftë i përhershëm kujtimi për gjithë të rënët për liri!”, ka thënë Osmani në një deklaratë për medie.