Osmani kujton përvjetorin e masakrës së Polacit dhe asaj të Abrisë së Poshtme

06 prill 2025 | 12:33

Presidentja Vjosa Osmani ka kujtuar sot përvjetorin e masakrës së Polacit dhe asaj të Abrisë së Poshtme.

“Në prillin e vitit 1999, Polaci dhe fshatrat përreth përjetuan njërën nga ofansivat më të egra të regjimit gjenocidal serb. Brenda një jave, u vranë 78 civilë shqiptarë, burra, gra e fëmijë. Sot përulemi me nderim të thellë edhe para kujtimit të 8 dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët ranë në altarin e lirisë”, ka thënë Osmani në deklaratën për medie.

Ajo ka theksuar se më 7 prill të atij viti, makineria vrastare serbe sulmoi edhe Abrinë e Poshtme, ku ekzekutoi 10 civilë nga fshati Qabiq, një tjetër krim që dëshmon përmasat e terrorit që ushtrohej mbi popullsinë shqiptare në atë kohë.

“Këto masakra nuk janë vetëm kujtime të dhimbshme, por pjesë e historisë sonë, e të vërtetës që nuk guxon të harrohet. Duke nderuar martirët dhe dëshmorët, ne kujtojmë sakrificën, mbrojmë të vërtetën dhe riafirmojmë përkushtimin tonë për drejtësi. Qoftë i përhershëm kujtimi për të gjithë të rënët për lirinë e Kosovës!”, ka thënë Osmani.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradina,j ka thënë se shqiptarët ndër…