Osmani: Kuvendi ka kryer shumicën e punëve, qeveria nuk solli ligje

10 shtator 2020 | 14:56

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, i ka quajtur propagandë zërat që ky institucion ka përfunduar vetëm 5 për qind të punës së saj.

Osmani ka thënë se Kuvendi ka kryer shumicën e punës, mirëpo sipas saj qeveria ka sjell vetëm 5 për qind të ligjeve.

“Ka qenë një propagande se kinse Kuvendi ka kryer vetëm 5 për qind të punës. Kjo është një e pavërtetë e madhe, në fakt vetëm 5 për qind të ligjeve, qeveria i ka dërguar në Kuvend. Pra mos gabofsha, nga 130, 120 ligje ende qeveria nuk i ka dërguar. Pra nuk është se Kuvendi i ka në sirtarët e veta 120 ligje dhe ka shkuar në pushim dhe nuk i ka trajtuar, është e kundërta. Ato ligje nuk na i ka sjellë qeveria fare dhe pa i sjellë, është e pamundur që ne t’i fusim në procedurë, përkundrazi, secila pikë që i ka kaluar procedurat e brendshme të Kuvendit në përputhje me rregulloren, ne e kemi dërguar në seancë”, ka thënë Osmani gjatë një debati virtual që është organizuar nga Lëvizja “Fol”.

Më tutje, Osmani ka thënë se ishte vetëm një pikë kur deputetët kanë refuzuar, por të gjitha të tjerat kanë kaluar me procedurë të rregullt.

“Ka qenë vetëm një pikë. Vetë deputetët kanë refuzuar ta bëjnë pikë të rendit të ditës dhe ajo ka qenë zgjedhja e anëtarëve të BQK-së dhe anëtarëve joekzekutiv, por të gjitha çështjet tjera, madje shumë prej tyre me procedurë të përshpejtuar siç janë marrëveshjet ndërkombëtarë etj, i kemi fut në rend të ditës. Pra Kuvendi i ka trajtuar të gjitha ato që i kanë kaluar procedurat”, ka thënë ajo.

Osmani ka theksuar se shpreson që qeveria do të jetë shumë më efektive që të sjellë më shumë ligje në mënyrë që komisionet parlamentare të kenë volum më të madh të punës, rrjedhimisht organizim më të shpeshtë të dëgjimeve publike.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti është duke qëndruar për vizitë…