Osmani: Liberalizimi i vizave nuk duhet të mbetet peng i teknikaliteteve të reja
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, në vazhdën e takimeve me ambasadorë evropianë, ka takuar sot ambasadorët e Norvegjisë, Greqisë dhe Luksemburgut.
Në këtë takim, presidentja Osmani ka ritheksuar se Kosova është vendi më proevropian dhe se populli i saj i ndan të njëjta vlera me popujt e tjerë evropianë.
Në këtë kontekst, ka potencuar se Kosova i ka plotësuar të gjithë kriteret për liberalizim vizash, ndaj sipas saj, duhet zbatuar rekomandimi i Komisionit Evropian për heqjen e vizave.
Sipas presidentes Osmani liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës nuk duhet të mbetet peng i teknikaliteteve të reja dhe se vendimmarrja politike duhet të ndodhë gjatë Presidencës Çeke, ndërkaq hyrja në fuqi sipas praktikave paraprake.
Në të njëjtën kohë, Osmani diskutoi me ambasadorët rëndësinë e mbështetjes për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës me të cilën gjë qytetarëve të Kosovës u mundësohet fuqizimi i të drejtave të njeriut, demokracisë dhe sundimin e ligjit.