Osmani: Mbajtja e zgjedhjeve në veri s’ka të bëjë me referendum
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë të premten se mbajtja e zgjedhjeve të reja në komunat veriore nuk ka të bëjë fare me referendum.
Mbajtja e zgjedhjeve të reja në veri është pikë e marrëveshjes së arritur mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian, të arritur më 10 korrik, për shtensionim të situatës në zonën veriore.
Tensinet janë rritur atje prej fundit të majit, pasi serbët lokalë e kanë kundërshtuar hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në komunat veriore – Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok.
Ata nuk i kanë pranuar kryetarët, ndonëse i kanë bojkotuar zgjedhjet.
Osmani ka thënë se ekzistojnë dy mundësi për mbajtje të zgjedhjeve të reja: që kryetarët të japin dorëheqje apo që qytetarët e këtyre komunave të kërkojnë përmes peticionit që të niset procedura e largimit të kryetarëve.
“Iniciativa për largimin e kryetarëve tashmë është e paraparë me ligj, pra ekziston një ligj që ua njeh qytetarëve të të gjitha komunave të drejtën që përmes peticionit dhe pastaj rivotimit ta largojnë një kryetar komune përmes votës. Pra nuk është referendum, quhet kategori e largimit të kryetarit përmes procesit të rivotimit”, ka thënë Osmani, raporton “Rel”.
Javë më parë, ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka thënë se zgjedhjet e parakohshme mund të zhvillohen nëse 20 për qind e votuesve në një komunë nënshkruajnë një peticion për largimin e kryetarit të asaj komune.
Ky peticion, sipas Krasniqit, do të dërgohej në Komisionin Qendror Zgjedhor (KQZ), që do ta verifikonte atë, dhe më pas do të niste një referendum me pyetjen se a duhet të shkarkohet kryetari.
Osmani ka thënë se aktualisht pritet që të gjitha çështjet teknike të përcaktohen përmes një udhëzimi administrativ dhe që një grup punuese, i krijuar për këtë punë, ta bëjë punën e vet.
“Sapo të krijohet baza ligjore, qytetarët e këtyre komunave do të mund ta dorëzojnë peticionin. Ky peticion duhet të vijë nga trupa votuese, nga votuesit e regjistruar”, ka thënë Osmani.
Komuniteti ndërkombëtar i ka kërkuar Kosovës që t’i organizojë këto zgjedhje për t’i ulur tensionet.