Osmani: Mbrojtja e mjedisit, e rëndësishme për shëndetin dhe të ardhmen evropiane

13 nëntor 2020 | 16:47

Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, ka mbajtur të premten një ligjëratë online me studentët e “RIT Kosovo”.

E ftuar si folëse në kuadër të lëndës “Politikat Energjetike”, Osmani ka ligjëruar për rëndësinë e mbrojtjes së mjedisit, zhvillimet në sektorin e energjisë dhe obligimet në këta dy sektorë karshi marrëveshjeve rajonale dhe ndërkombëtare, në veçanti karshi integrimit evropian.

Ajo ka theksuar se për mjedisin nuk duhet folur vetëm në ditë të veçanta, por që kjo është një temë që duhet të bëhet prioritet në nivel nacional, si dhe duhet të jetë brengë e çdo qytetari të Kosovës ngaqë ka të bëjë drejtpërdrejt me ruajtjen e shëndetit tonë, por edhe me të ardhmen evropiane.

“E ardhmja është padyshim e gjelbër, mirëpo ne duhet të sigurohemi për një mobilizim sistematik dhe planifikim strategjik të sektorit të energjisë, duke u përkujdesur për mbrojtjen e mjedisit, duke garantuar sigurinë e furnizimit, dhe duke respektuar obligimet tona karshi marrëveshjeve rajonale e ndërkombëtare”, ka thënë Osmani.

Më tutje, Osmani ka thënë se Marrëveshja e Gjelbër Evropiane tashmë konfirmon që e gjithë Evropa është orientuar drejt tranzicionet energjetik dhe që të ardhmen dhe zhvillimin ekonomik e sheh gjithmonë në harmoni të plotë me mjedisin.

“Prandaj, duhet të sigurohemi që Kosova, si vend që aspiron integrimin në BE, të bëjë përgatitjet e duhura për sfidat që na presin në këtë rrugëtim”, është shprehur ajo.

Ndërsa studentët e “RIT Kosovo” kanë shprehur interesim për çështje të shumta, siç është liberalizimi i tregut energjetik, taksat e karbonit, investimet në hidrocentrale të vogla dhe dëmi në mjedis, përdorimi i qymyrit nëpër shtëpia, nevoja për investime në fushën e efiçencës së energjisë etj.

Në anën tjetër, presidenti i “RIT Kosovo”, Kamal Shahrabi dhe ligjëruesja e lëndës shqipe, Neziri-Vela, kanë falënderuar Osmanin për kontributin e saj në këtë ligjëratë.

Ata e kanë vlerësuar lart angazhimin e Osmanit për vetëdijesim të qytetarëve dhe të institucioneve mbi këto tema, si dhe përkushtimin për një orientim të ri në politikat mjedisore dhe energjetike.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se ata kanë…