Osmani: Më 6 tetor përfundon sundimi i Kosovës nga krimi e korrupsioni
Kandidatja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për kryeministre, Vjosa Osmani, ka thënë se me fitoren e LDK-së do të përfundon epoka e sundimit të Kosovës nga krimi dhe korrupsion.
Në një tubim elektoral në Istog, ajo ka deklaruar se më 6 tetor do të shkojnë në opozitë ata që e kanë vjedhur besimin e qytetarëve.
“Fitorja e LDK-së i dërgon në opozitë sundimtarët që kanë vjedhur besimit tuaj dhe po ju ofrojnë paratë e vjedhura për të blerë besimin tuaj. Praktika e vendeve totalitare kanë treguar që sundimtarët e mbajnë popullin e varfër për t`i sunduar më lehtë, por kjo praktikë përfundon më 6 tetor, me votën e lirë të qytetarëve të Kosovës dhe fitoren tonë”, ka thënë Osmani.
Ajo ka deklaruar se fitorja e LDK-së më 6 tetor do të jetë lajm i mirë për Kosovën dhe aleatët e saj. “Do t’i tregojmë botës se Kosova nuk është vend i krimit të organizuar, nuk është vend i korrupsionit e nuk është vend i haraçit. Unë kam ardhur sot për të lidhur një besë të re. Lidhja Demokratike e Kosovës, është bashkuar si kurrë më parë për t’u dhënë qytetarëve të Kosovës qeverisjen që ata meritojnë. LDK-ja është alternativa e vetme që ka dëshmuar dhe që garanton ç’kapjen e shtetit. Lufton krimin e korrupsionin dhe e vendosë sundimin e rendit dhe të ligjit”, është shprehur Osmani.
Sipas saj, më 6 tetor do të ndodhë çlirimi i dytë i Kosovës. “Kosova nuk ka kohë për të humbur. Duhet ta zëmë kohën që na ka humbur. Qeveria jonë ta nisë punën menjëherë për të garantuar të ardhme të ndritshme republikës dhe për ta jetësuar amanetin e Presidentit Rugova për krijimin e një shteti të fortë, demokratik, në miqësi të përjetshme me SHBA-në dhe BE-në”, ka deklaruar Osmani.