Osmani: Më 6 tetor qytetarët ua kthejnë shpinën pushtetarëve të papërgjegjshëm
Vjosa Osmani e cila pretendon të jetë kryeministre nga radhët e LDK-së, ka thënë se më 6 tetor qytetarët e Kosovës do t’ua kthejnë shpinën pushtetarëve të papërgjegjshëm.
Sipas saj, pas zgjedhjeve të së dielës, vendi do të çlirohet për të dytën herë, por siç ka thënë ajo, kësaj radhe nga krimi e korrupsioni.
Osmani para simpatizantëve të Vitisë, ka thënë se asgjë nuk mund të ndalë LDK-në për të quar në vend vullnetin e qytetarëve.
“Kam një mesazh të veçantë për ata që votojnë për herë të parë nga ata që i kanë 18 deri në 20 vjeç, që kësaj radhe më 6 tetor do ta kenë për herë të parë të drejtën e tyre për të vendosur jo vetëm për të ardhmen e tyre por edhe për të ardhmen e Kosovës, sigurohuni të rinj të dashur që vota juaj e parë të shkojë për çlirimin e dytë të Kosovës. Sepse më 6 tetor me votën e tyre të parë ne do të sigurohemi që Kosova të përjetojë çlirimin nga krimi dhe korrupsioni, do ta shkëpusim Kosovën nga ëndrra e keqe dhe do t’i japim fuqi lirisë, Kosova do t’i përqafojë sërish vlerat e demokracisë së botës së qytetëruar. Andaj e kemi bërë bashkimin tonë sërishëm me partnerët tanë të PShDK-së, andaj ne e kemi gjithë diasporën me ne, sepse kot të tjerët trumbetojnë që diaspora është me ta, sepse mërgata jonë çdo herë ka qenë dhe mbetët në përkrahje të Lidhjes Demokratike”, ka thënë Osmani.