
Osmani me ambasadorin turk: Do të rrisim bashkëpunimin parlamentar me Turqinë
Kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani-Sadriu, ka pritur sot në takim ambasadorin e Republikës së Turqisë, Çagri Sakar.
Ambasadori Sakar uroi kryeparlamentaren për detyrën e re, duke shprehur edhe qëllimin e shtetit turk për të thelluar bashkëpunimin në shumë fusha mes Republikës së Kosovës dhe Turqisë.
Sakar ka potencuar se Turqia do të vazhdojë të mbetet partner i besueshëm i Kosovës, duke ofruar përkrahje në të gjitha fushat e nevojshme.
Në anën tjetër, kryetarja Vjosa Osmani-Sadriu, duke shprehur falënderimin e saj për vizitën dhe bashkëpunimin e ofruar, deklaroi se si kryetare e Kuvendit do të angazhohet maksimalisht në funksionalizimin e plotë të diplomacisë parlamentare mes Kuvendit të Kosovës dhe Kuvendit të Madh të Turqisë.
Po ashtu, kryetarja e Kuvendit theksoi se në afat rekord do të konstituohen grupet e miqësisë mes deputetëve të Kuvendit të Kosovës dhe homologëve të tyre nga shumë shtete të botës.
/Epoka e re/