Osmani: Me ‘Ballkanin e hapur’, Vuçiqi dëshiron ta zgjerojë qasjen e tij hegjemoniste
Nisma “Ballkani i hapur” nuk e respekton parimin e përfshirjes dhe nuk i trajton të gjitha vendet në mënyrë të barabartë. Kështu ka thënë presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Në një intervistë për agjencinë “MINA”, Osmani ka thënë se iniciativën në Kosovë e ka analizuar nga ana politike dhe në aspektin e ekspertëve.
Ajo ka vlerësuar se me iniciativën “Ballkani i hapur”, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq është duke tentuar ta zgjerojë qasjen e tij hegjemoniste në të gjithë rajonin dhe ta trajtojë Kosovën si një partner të pabarabartë, duke mos e njohur pavarësinë e saj.
Sipas Osmanit, dallimi i madh në mes të “Ballkanit të hapur” dhe nismave të tjera është se iniciativat e tjera, por edhe krijuesit e tyre, i trajtojnë të gjitha vendet si të barabarta.
“Ne jemi për marrëveshje që do ta përshpejtojnë anëtarësimin tonë në Bashkimin Evropian (BE), në vend që të krijohen pritje që i japin arsye dhe justifikim BE-së që të mos shpejtojë procesin e anëtarësimit”, ka thënë Osmani.
Më tutje, Osmani ka thënë se pa anëtarësimin e Ballkanit Perëndimor në BE nuk mund të ketë Evropë të lirë, të bashkuar dhe paqësore.
“Pra, ne ishim shumë të qartë për këtë. Ne i respektojmë vendet e tjera, por në të njëjtën kohë dëshirojmë që të respektohet qëndrimi ynë, sepse është një qëndrim që është marrë parasysh përmes vlerësimeve shumë serioze të të gjithë faktorëve të nevojshëm”, është shprehur Osmani.