Osmani me ftesë të Bidenit përfaqësoi Kosovën në aktivitetin përmbyllës të samitit të NATO-s
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani me ftesë të presidentit të ShBA-së, Joe Biden, ka përfaqësuar Kosovën në aktivitetin përmbyllës të samitit të NATO-s në Uashington D.C.
Pjesëmarrjen në këtë aktivitet të samitit të NATO-s, presidentja Osmani e ka vlerësuar të një rëndësie të veçantë për shtetin e Kosovës.
“Është hera e parë në histori që Kosova përfshihet në një samit të aleancës së shpresës dhe për këtë u jam mirënjohëse personalisht presidentit Biden dhe ShBA-së”, ka theksuar presidentja Osmani.
Iniciativa “Ukraine Compact”, si aktivitet përmbyllës i samitit të NATO-s, është pjesë e përkushtimit të NATO-s dhe partnerëve të saj për sigurinë afatgjate të Ukrainës. Kjo iniciativë e NATO-s, krijon një arkitekturë gjithëpërfshirëse të sigurisë për t`i forcuar kapacitetet mbrojtëse të Ukrainës.
Në përfundim të samitit, presidentja Osmani ka biseduar me presidentin Biden, të cilin e ka falënderuar për kontributin dhe përkushtimin e tij ndaj Kosovës, si dhe ka pasur mundësi të diskutojë edhe me liderë të tjerë nga disa shtete të botës.