Osmani: Meja e Gjakovës është plaga jonë e përhershme

27 prill 2023 | 11:04

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani , ka kujtuar masakrën e Mejës.

Ajo ka thënë se në Mejë ende ka varre të hapura dhe se Serbia është duke i mbajtur të fshehura të dhënat për vendndodhjen e të vrarëve të Mejës e të gjithë Kosovës.

“Sot kujtojmë njërën ndër masakrat më të tmerrshme të regjimit serb ndaj popullit shqiptar të Kosovës, atë të Mejës, në të cilën 376 burra të moshës 15 deri në 75 vjeç, 36 nga të cilët nën 18-vjeç, u ekzekutuan nga polica dhe ushtria serbe. Meja është plaga jonë e përhershme, por edhe gurë që duhet të peshojë rëndë në ndërgjegjen e regjimit serb, të djeshmit, i cili në mënyrë të planifikuar i ndau e i vrau bijtë tanë, i fshehu ose i zhduku përjetësisht kufomat e tyre, sikur edhe i këtij të sotmit, i cili vazhdon të jetojë mbi krimet e kryera nga shteti i tyre, pa e vrarë ndërgjegjen dhe pa u kërkuar falje viktimave”.

“Prandaj, e themi zëshëm, këtu e përditë: të vrarët e Mejës janë viktima të gjenocidit serb të kryer në Kosovë. Ky gjenocid duhet të njihet me emrin e vërtetë. Meja është dëshmia e pamohueshme e një synimi të tmerrshëm të një shteti për vrasjen kolektive të një populli, por edhe thirrja e përhershme e jona për ta artikuluar kumbueshëm thirrjen tonë për drejtësi. Në Mejë ka ende varre të hapura, ka nëna që vijnë aty dhe qajnë pranë varrit të zbrazët, sepse regjimi serb ende i mban të fshehura të dhënat për vendndodhjen e të vrarëve të Mejës e të gjithë Kosovës”, ka deklaruar Osmani.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka thënë se…