![](https://www.epokaere.com/wp-content/uploads/2021/04/osmani-5.jpg)
Osmani merr mbështetje nga ambasadorja suedeze për fuqizimin e demokracisë
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur të enjten në takim ambasadoren e Suedisë në Prishtinë, Karin Hernmarck, e cila e ka uruar për pozitën e shefes së shtetit, duke i dëshiruar sukses përgjatë këtij mandati.
Të dyja palët kanë theksuar faktin se ndërmjet Kosovës dhe Suedisë, ekzistojnë marrëdhënie të mira. Në këtë drejtim, Osmani ka shprehur gatishmërinë për ta intensifikuar dhe zgjeruar bashkëpunimin edhe në fusha të tjera.
“Jemi mirënjohës për mbështetjen e vazhdueshme që vendin ynë e ka marrë nga Suedia dhe do të punojmë së bashku që bashkëpunimi në mes nesh të intensifikohet në fusha si fuqizimi i demokracisë, sundimi i ligjit, barazia gjinore dhe mbrojtja e mjedisit”, ka theksuar Osmani.
Në këtë takim, Osmani ka potencuar nevojën për mbështetje nga vendet mike për sigurimin e vaksinave për të gjithë qytetarët e Kosovës si një parakusht për angazhim më substancial për projekte në të gjitha fushat zhvillimore.
Ndërsa ambasadorja Karin Hernmarck, e ka siguruar Osmanin se mbështetja në këto fusha nuk do të mungojë, pasi sipas saj ato janë edhe prioritetet e Suedisë karshi Kosovës dhe se përkushtimi në këtë drejtim është afatgjatë.