![](https://www.epokaere.com/wp-content/uploads/2022/09/osmani-3.jpg)
Osmani merr pjesë në takimin e presidentëve të rajonit në procesin Bërdo-Brione në Slloveni
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, krahas presidentëve të shteteve të rajonit do të marrë pjesë në takimin e 11-të të procesit Bërdo-Brione.
Presidenca e Kosovës ka njoftuar se temat të cilat do të diskutohen në këtë takim përfshijnë perspektivën e integrimit evropian për vendet aspiruese të Ballkanin Perëndimor, të cilat i përmbushin kushtet për integrim dhe të cilat i bashërendojnë politikat me ato të Bashkimit Evropian, tejkalimin e sfidave të përbashkëta si pasojë e agresionit të paprovokuar të Rusisë në Ukrainë, përfshirë krizën energjetike dhe sigurinë ushqimore; si dhe përkushtimin për demokraci, paqe dhe dialog.
Presidentja Osmani do t’i paraqesë qëndrimet e Republikës së Kosovës lidhur me temat që do të trajtohen në këtë proces, përfshirë thirrjen për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, si dhe avancimin e rrugës euroatlantike të vendit tonë.
Takimi i Procesit Bërdo-Brione do të mbahet në Bërdo afër Kranjit në Slloveni nën udhëheqjen e presidentit të Sllovenisë Borut Pahor dhe presidentit të Kroacisë, Zoran Milanović.