Osmani, ministrit gjerman: Është koha që Kosova t’i bashkohet NATO-s
Presidentja Vjosa Osmani, ka thënë se Kosova është dëshmuar si partnere e Gjermanisë dhe e vendeve të NATO-s, duke shtuar se anëtarësimi në këtë aleancë do të ndikonte pozitivisht edhe në sigurinë e rajonit.
Osmani pas takimit me ministrin e Mbrojtjes së Gjermanisë, Boris Pistorius, ka thënë se është koha e duhur për anëtarësim në NATO, duke filluar me Partneritetin për Paqe.
“Një hap i tillë do të ndikonte pozitivisht në sigurinë, por edhe stabilitetin e gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor”, ka thënë Osmani, duke treguar edhe për diskutimet që kishte me ministrin gjerman.
“Diskutuam se si shtet tona mund të avancojnë edhe më shumë ne fushën e sigurisë dhe mbrojtjes. Kosova mbetet e përkushtuar që të vazhdojë të ndërtojë ushtrinë e saj me standardet më të larta të NATO-s. Ministër, siç e dini Kosova është dëshmuar si partnere e përkushtuar e Gjermanisë dhe NATO-s si aleancë. Kosova është 100 për qind e përafruar me shtetet anëtare të BE-së. Është koha që Kosova t’i bashkohet programit për Partneritet për Paqe. Sulmi i 24 shtatorit ishte përpjekje për ta minuar jo vetëm stabilitetin në Kosovë, por edhe në Ballkanin Perëndimor. Hetimet zyrtare tregojnë se prapa saj qëndron Serbia dhe institucionet e saj.”