Osmani: Muaji i Ramazanit është muaji i sakrificës dhe i dashurisë njerëzore
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani i ka uruar të gjithë qytetarët e besimit mysliman për fillimin e muajit të Ramazanit.
Osmani ka thënë se ky muaj nuk është vetëm muaj i agjërimit, por edhe i sakrificës dhe i dashurisë njerëzore.
“Muaji i shenjtë i Ramazanit nuk është vetëm muaj i agjërimit, por edhe i sakrificës dhe i dashurisë njerëzore. Për besimtarët islamë dhe gjithsecilin që beson në vlerat njerëzore, ky muaj është edhe rikujtim i integritetit individual, i humanizmit dhe i solidaritetit me njerëzit në nevojë. Këtë vit, për shkak të Coronavirusit, besimtarët në Kosovë, sikur gjithandej nëpër botë, nuk do të mund të bashkohen në iftare tradicionale me familje e miq. Por, të gjithë ne jemi të bashkuar në zemrat tona për ta fituar betejën me Coronavirusin dhe për ta bërë Kosovën vend më të mirë e vend ku integriteti e humanizmi janë vlera mbizotëruese”, ka shkruar Osmani në profilin e vet në “Facebook”.
/Epoka e re/