Osmani nderohet me mirënjohje “Për lidershipin e dëshmuar në avancimin e të drejtave të komuniteteve në Kosovë”
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, mori sot pjesë në takimin e organizuar për fundvit nga Këshilli Konsultativ për Komunitete, me ç’rast, i falënderoi anëtarët e Këshillit për angazhimin e tyre në përmirësimin dhe forcimin e të drejtave të komuniteteve në Kosovë.
“Puna juaj dhe përkushtimi janë të vlerësueshme dhe kanë ndihmuar në ndërtimin e një mjedisi më të drejtë dhe më të barabartë për të gjitha komunitetet. Faleminderit për partneritetin tuaj të ngushtë me Zyrën time dhe përkushtimin në zbatimin e rekomandimeve të Këshillit. Në veçanti, do të doja të shpreh mbështetjen time të plotë për propozimin e fundit për ndryshime në procedurat e rekrutimit të pjesëtarëve të komuniteteve joshumicë. Është një hap i rëndësishëm drejt përmirësimit të pjesëmarrjes së tyre në institucionet publike, dhe do të jem në krye të përpjekjeve për zbatimin e këtij ndryshimi ligjor. Pra Barazi në Punësim për te gjithë pa dallim, sepse kjo është edhe prioritet i imi, kjo duhet të jetë edhe kauzë e shoqërisë sonë në përgjithësi”, ka theksuar Osmani.
Ajo ka thënë se gjatë këtij viti, Zyra e saj ka qenë e përkushtuar në dialogun dhe bashkëpunimin me institucionet për t’i trajtuar rekomandimet e Këshillit.
“Ju siguroj se ky bashkëpunim do të vazhdojë edhe në vitin e ardhshëm dhe se do t’i japim shtytje shtesë implementimit të tyre. Në përfundim, do të doja të theksoja se angazhimi im për promovimin dhe barazinë e të gjitha komuniteteve në Kosovë është i pandërprerë. Së bashku me Këshillin dhe Sekretariatin, do të punojmë me përkushtim për një shoqëri më të drejtë dhe më të përfshirë për të gjitha komunitetet”, ka deklaruar Osmani.
Presidentja ka thënë se ky vit ka qenë i mbushur me sfida dhe arritje, por bashkëpunimi dhe përkushtimi “juaj kanë sjellë shumë suksese dhe momente të mrekullueshme”.
“Le të marrim këtë kohë për të reflektuar mbi të gjitha përvojat dhe përfitimet e vitit që po mbyllet. Uroj që kujtimet pozitive dhe sukseset tuaja të bëhen burim frymëzimi për vitin e ardhshëm. Faleminderit për kontributin tuaj të pazëvendësueshëm dhe për bashkëpunimin e jashtëzakonshëm gjatë këtij viti. Le të vazhdojmë të punojmë së bashku për një të ardhme më të ndritshme dhe të suksesshme!Uroj një fundvit plot gëzim, shëndet, dhe sukses për ju dhe për familjet tuaja! Gëzuar Vitin e Ri!”, është shprehur presidentja Osmani.
Pas fjalimit të presidentes, zv/kryesuesi Petar Đorđevic i dorëzoi presidentes Osmani mirënjohjen në emër të Këshillit “Për lidershipin e dëshmuar në avancimin e të drejtave të komuniteteve në Kosovë”.