Osmani: Ndihemi krenarë me urtinë dhe përkushtimin e pjesëmarrësve të Kuvendit të Junikut
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë homazhe pranë lapidarit të heronjve, dëshmorëve dhe martirëve të Junikut.
Në një fjalë rasti, ajo ka thënë se sot ndjehet krenare me urtinë dhe përkushtimin e pjesëmarrësve të Kuvendit të Junikut.
“Kuvendi i Junikut përmban një prej momenteve më me peshë të historisë sonë kombëtare. Të prirë nga vetëdija për lirinë, u mblodhën të gjithë bashkë në këtë vend kullash për ta hartuar platformën e parë për Shqipërinë”.
“Kuvendi i Junikut paraqet platfromë të fuqishme politike e kulturore për shtetin shqiptar. Shënoi pikën më të lartë të vetëdijes politike për kombin tonë”, ka thënë Osmani, duke shtuar se Kuvendi i Junikut ka artikuluar qartë kërkesat e popullit shqiptar për pavarësi.
“Në rrafshin kulturor, Kuvendi konfirmoi orientimin perëndimor të shqiptarëve. Kuvendi përveçse artikuloi çartë kërkesat e popullit për pavarësi, ai po ashtu vulosi edhe orientimin për aleancë me perëndimin. Sot ne ndihemi krenarë me urtinë dhe përkushtimin pjesëmarrësve të Junikut”, ka thënë Osmani.
Kuvendi i Junikut ishte mbajtur më 21-25 maj 1912 në Junik me nismën e Hasan Prishtinës. Në këtë kuvend kishin marrë pjesë 250 delegatë nga Vilajeti i Kosovës, sanxhakët e Dibrës, Shkodrës dhe të Elbasanit. Falë përpjekjeve të Hasan Prishtinës, Bajram Currit dhe Isa Boletinit ishin paralizuar veprimet e elementëve turkomanë në radhët e lëvizjes kombëtare shqiptare.
Kuvendi i Junikut kishte miratuar programin politik i cili përmbante kërkesa për autonominë e Shqipërisë, vendosjen e administratës shqiptare, caktimin e gjuhës shqipe me alfabet kombëtar si gjuhë zyrtare, ngritjen e flamurit shqiptar në gjithë vendin dhe garancinë e Fuqive të Mëdha për plotësimin e këtyre kërkesave.