Osmani në CNN: Kosova është viktimë e një akti të agresionit nga Serbia
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha të martën se “Kosova është duke u sulmuar” dhe se është “viktimë e një akti të agresionit nga Serbia”, pas sulmit nga grupe të armatosura serbësh ndaj Policisë së Kosovës në veri të vendit javë më parë.
Më 24 shtator, grupe të armatosura serbe sulmuan policinë e Kosovës në fshatin e komunës së Zveçanit, Banjskë, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku. Në shkëmbimin e zjarrit që pasoi, u vranë edhe tre sulmues.
“Derisa ne po flasim, Kosova po përballet me sfida të papara; me sfida të sigurisë që vijnë nga akti i agresionit të Serbisë që ndodhi më 24 shtator. Ishte një akt agresioni i urdhëruar nga vendimmarrësit, nga shteti i Serbisë, e i kryer nga grupet terroriste paramilitare”, tha Osmani për CNN.
Serbia i ka mohuar akuzat e Kosovës se qëndron prapa këtij sulmi.
Por, Osmani nguli këmbë se “ky agresion nuk ndodhi vetëm një herë dhe ishte i planifikuar dhe përgatitur shumë mirë me qëllimin e vetëm për ta aneksuar veriun e Kosovës në stilin e Krimesë”, duke iu referuar aneksimit të Gadishullit ukrainas nga Rusia në vitin 2014.
Pesë ditë më vonë, përgjegjësinë për sulmin e mori Millan Radoiçiqit, i cili u mor në pyetje sot nga prokuroria serbe në Beograd, por Osmani nuk beson se Serbia do ta dënojë apo ekstradojë atë tek autoritet e Kosovës.
“Natyrisht, gjëja e parë që ne e duam është që [shteti serb] t’ia dorëzojë Radoiçiqin dhe terroristët e tjerë Republikës së Kosovës, në mënyrë që drejtësia të vihet në vend. Serbia nuk ka histori të mirë për vënien e drejtësisë në vend”, tha Osmani të martën për televizionin amerikan CNN.
Ajo theksoi se “nuk ka asnjë rast kur kriminelët që kanë kryer krime lufte dhe gjenocid në Kosovë dhe Bosnjë që janë vënë para drejtësisë.”
Prokuroria e Lartë Publike në Beograd tha se e mori në pyetje Radoiçiqin të martën, të cilin e akuzon për “trafikim armësh” dhe “vepra kundër sigurisë”.
Osmani e akuzoi Serbinë për “përpjekje të vazhdueshme për ta destabilizuar” Ballkanin Perëndimor, për t’ia mundësuar presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, hapjen e “një fronti të ri” kundër Perëndimit në Ballkanin Perëndimor.
Ajo e përmendi zhvendosjen e ushtrisë serbe përgjatë kufirit me Kosovën javën e kaluar, gjë të cilën Serbia e ka mohuar, pavarësisht se u qortua nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.
“Ne po punojmë me aleatët dhe partnerët tanë për të mos e lejuar të ndodhë kjo”, tha ajo.
Megjithatë, Osmani beson se Serbia mund ta përsërisë “dhunën jo vetëm ndaj Kosovës por edhe ndaj pjesës tjetër të rajonit”, nëse nuk përballet me masa të ashpra.
Osmani i hodhi poshtë pretendimet e autoriteteve serbe se armët e përdorura nga grupi i udhëhequr nga Radoiçiqi ishin siguruar në Tuzëll të Federatës së Bosnjës dhe Hercegovinës. /Rel