Osmani në Fushë Kosovë: Na duhet ta çojmë PDK-në në opozitë
Kandidatja e LDK-së për kryeministre, Vjosa Osmani në tubimin e mbajtur me qytetarë të Fushë Kosovës, ka theksuar se nga 6 tetori kjo parti do të merret me Kosovën.
Ajo ka thënë se me ata që e kanë keqpërdorur besimin dhe paratë e qytetarëve do të merret drejtësia.
“Ju ftoj që ta lidhim besën me njëri-tjetrin që më 6 tetor t’i mundim bindshëm këta mashtrues, ta kthejmë Kosovën kah e mbara, t’ua heqim qytetarëve sunduesin që i patën mbi qafë deri më sot. T’i heqim ata që krijuan pasuri milionëshe nëpërmjet zhvatjes së qytetarëve të Kosovës. T’ua heqim bizneseve përqindjen e haraçit që ua kërkojnë. Ta bëjmë Kosovën të jetueshme. Ta bëjmë pushtetin shërbyes për qytetarët, ndihmues për bizneset, t’i bëjmë spitalet vende ku njerëzit vërtet shërohen. T’i bëjmë shkollat vatra diturie për fëmijët tanë. Ta bëjmë Kosovën destinacion të perspektivës së rinisë tonë të mrekullueshme”, ka thënë Osmani.
Më tutje, Osmani, ka thënë se me paratë e qytetarëve, PDK-ja po tenton t’i gënjejë ata.
“Dua t’ju siguroj edhe juve se ne jemi të bashkuar sikur në kohën e presidentit Rugova dhe jemi të vendosur si kurrë më parë për t’ia kthyer Kosovën qytetarëve të saj, në të cilën ata duhet të jetojnë të lirë, të pa shantazhuar dhe të pa kërcënuar nga sajuesit e lajmeve të rreme dhe sajuesit e shpifjeve që askush më nuk iu beson. Neve na duhet që me referendum gjithë popullor ta çojmë PDK-në në opozitë të gjatë nga 6 tetori. Kurse, ne që do t’i fitojmë zgjedhjet nuk e kemi ndërmend t’i amnistojmë kimet e kriminelët. Prandaj, qeverisja e LDK-së e drejtuar nga unë do t’ia kthej një partneritet të vërtetë raportin e Kosovës me aleatët e saj, sepse ne jemi të vërtetë, ne nuk jemi të rrejshëm”, është shprehur Osmani.