Osmani në Hungari: Nuk e shoh Trumpin kërcënim, u bëmë të pavarur kur republikanët ishin në pushtet, të lirë kur ishin demokratët

07 nëntor 2024 | 14:08

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është për vizitë në Hungari në kuadër të Samitit të Komunitetit Politik të Evropës.

Ajo para fillimit të samitit, ka thënë se beson fuqishëm që do të vazhdojë bashkëpunimi ndërmjet Evropës dhe ShBA-së edhe nën administratën e presidentit Donald Trump.

E para e shtetit të Kosovës është pyetur edhe lidhur me raportet Kosovë-ShBA, pas zgjedhjes së Trumpit president. “Kosova e ka pasur mbështetjen dypartiake të secilës administratë të ShBA-së që në fillimet e viteve ’90-a. Jemi bekuar me atë mbështetje dhe për këtë kemi çdo arsye të besojmë se mbështetja do të vazhdojë edhe me administratën të presidentit Trump”, është shprehur Osmani.

Më tutje, Osmani ka thënë se nuk e sheh si kërcënim për Kosovën zgjedhjen e Trumpit president pasi Kosova gjithnjë ka pasur mbështetje si nga republikanët, po ashtu edhe demokratët.

“Nuk e shoh si kërcënim. Kosova, në fakt, ka përfituar për dekada nga një mbështetje dypartiake nga Shtetet e Bashkuara. Ne u bëmë të pavarur kur republikanët ishin në pushtet. Ne u bëmë të lirë kur demokratët ishin në pushtet… Ne kemi punuar shumë ngushtë me çdo administratë dhe besoj fuqimisht se do të vazhdojë të jetë kështu”, ka thënë ajo.

Duke folur për Samitin e Komunitetit Politik të Evropës, Osmani ka thënë se është një mundësi e mirë për të diskutuar dhe gjetur zgjidhje për sfidat.

E para e shtetit është pyetur edhe nëse do të takohet me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq. Osmani ka thënë se bisedimet Kosovë-Serbi vazhdojnë në Bruksel në mes të kryenegociatorëve, kryesisht në atë se si mund të vazhdohet me zbatimin e marrëveshjeve të arritura.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Përzgjedhësi i ri i Kosovës në basketboll, Jean-Denys Choulet të…