Osmani në KS të OKB-së: Qëllimi i dialogut, njohja reciproke e jo statusi i Kosovës
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se shteti që përfaqëson është i angazhuar me dialogun me Serbinë dhe, Kosova, sipas saj është avokuese e paqes.
“Kosova ka qenë, është dhe do të jetë e pranishme në tavolinën (e bisedimeve), por gjithashtu të angazhohet në mënyrë aktive në dialog ku qëllimi përfundimtar është njohja reciproke. E çka nuk është qëllimi është që ky dialog do të shpëtojë karrierën personale të asnjë politikani në Serbi që është i përfshirë në proces. Ky proces nuk ka të bëjë me shpikjen e aventurave të rrezikshme që i takojnë shekullit të 19-të. Nuk është dhe nuk do të jetë, siç do të donin homologët tanë (Serbia) për statusin e Kosovës, që është zgjidhur një herë e përgjithmonë më 2008”, ka thënë Osmani në Këshillin e Sigurimit të OKB-së ku është duke u diskutuar për Kosovën.
Ajo ka thënë që Serbia të inkurajohet që të shkojë në bisedime “me mendje të hapur” dhe me ide që, sipas Osmanit, do të lëviznin përpara dialogun.
Presidentja Osmani tha se Serbia duhet “ta kuptojë se realiteti i Kosovës së pavarur nuk do të ndryshojë”.
“Dialogu është në mes të dy palëve të barabarta, që duhet të trajtohen kështu. Por, më e rëndësishmja, ky dialog ka të bëjë me përfituesit, që janë qytetarët e të dy shteteve, për të ndërtuar një jetë më të mirë dhe prosperitet dhe një të ardhme më të sigurt për ta”, ka thënë ajo.
Më tutje, Osmani ka folur edhe për aksionin kundër kontrabandës, ku ka thënë se lufta kundër krimit të organizuar është e panegociueshme dhe se aksioni i fundit në veri të Kosovës ka qenë i përbërë nga zyrtarë të zbatimit të ligjit nga komuniteti shqiptar dhe serbë.
“Lufta kundër këtij krimi është shumetnike, policë serbe e shqiptarë, prokurorë shqiptarë e serbë po e luftojnë së bashku krimit”, ka thënë Osmani.
Në adresimin e saj, Osmani ka cituar deklaratën e KFOR-it në të cilën thuhej se policia ka autoritet të plotë për të marrë aksione kundër krimit të organizuar dhe për ta bërë këtë nuk kanë nevojë për leje. Gjithashtu përmendi edhe deklarimet nga Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe që e kanë përkrahur Kosovës në përpjekjet kundër krimit të organizuar.
Ajo ka thënë se Kosova filloi zbatimin e reciprocitetit për targat me Serbinë pasi kjo e fundit për vite me radhë detyronte qytetarët e Kosovës të ndërrojnë targat e tyre.
“Kur Kosova zbatoi reciprocitetin Serbia dërgoi ushtrinë në kufi me Kosovën”, ka thënë Osmani.