Osmani në Kuvend: Kur thashë të diskutohej Asociacioni, u godita ulët, ja ku jemi sot, po kërkohet e njëjta
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, fjalimin e saj vjetor në Kuvend, ka folur për dialogun me Serbinë dhe Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
Osmani ka thënë se kur kishte propozuar që Asociacioni të diskutohet, “jo të themelohet”, pati goditje ndaj saj se ka shitur interesat e shtetit.
Por, sipas saj, ajo kërkonte të diskutohej me ShBA-në, dhe kjo mos t’i lihej në dorë emisarit Miroslav Lajçak e të tjerëve që s’e njohin Kosovën e pavarur.
Ajo ka përmendur se “sot po kërkohet e njëjta”, por se “vendimet e duhura merren në kohën e duhur”.
“Më duhet të theksoj me keqardhje, se propozimet që shpesh kam bërë për këtë proces, shpesh janë ballafaquar me një sër dezinformatash e sulmeve të ulëta që nuk i kanë hije askujt në Kosovë. Për të qenë më e qartë, kur kam propozuar që drafti i Asociacionit të fillohet të diskutohet, të diskutohet, me ShBA-të, në mënyrë që kjo çështje mos t’i lihet në dorë as Lajçakut e as të tjerëve që nuk besojnë në pavarësinë e Kosovës, kjo nuk ka nënkuptuar asnjëherë që kam kërkuar themelim të Asociacionit, por ka nënkuptuar se më shumë i kam besuar vetvetes e Amerikës, se sa burokratëve nga shtetet mosnjohëse. Ky propozim ishte goditur në mënyrën më të ulët me lloj-lloj shpifje se kam shitur interesat e vendit, e ku jemi sot, jemi në momentin ku po kërkohen e njëjta, që draftin ta hartojmë ne, por siç dihet, vendimet e duhura të merren në momentin e duhur”.
“Njëlloj po bëhet sot me lloj-lloj shpifje të ulëta se kinse presidentja paska kërkuar nënshkrim të njëanshëm të marrëveshjes. Ajo çfarë kam thënë është qartë, që zbatimi ka kuptim vetëm e vetëm nëse zbatohet nga të dyja palët, dhe kur njëra tërhiqet sipas të drejtës ndërkombëtare, tjetra s’ka obligim ligjor ta zbatojë. Si presidente e vendit besoj se nëse shihet përfundimisht se Serbia nuk do ta zbatojë pjesën e saj, që jam e bindur se nuk e zbatojnë edhe nëse e nënshkruajnë, atëherë besoj që do të duhej të diskutonim me aleatët tanë, zbatimin e pjesës sonë vetëm në shkëmbim të garancive ndërkombëtare të nënshkruara që përfshijnë anëtarësim në NATO dhe organizata të tjera ndërkombëtare”, ka thënë Osmani.