Osmani në takim me Stoltenbergun: E ardhmja e Kosovës është në BE, NATO dhe OKB
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, të cilin e ka falënderuar për rolin vendimtar të Aleancës Veri-Atlantike në lirinë e Kosovës, por edhe për kontributin e tashëm për një ambient të qetë e të sigurt, nëpërmjet trupave të KFOR-it.
Në këtë takim, Osmani ka falënderuar Stoltenberg edhe për mbështetjen e KFOR-it për trajnimin e FSK-së, e cila procesin e tranzicionit në ushtri po e kryen konform standardeve të NATO-s, duke qenë e denjë për t’u bërë pjesë e kësaj organizate.
Më tutje, Osmani ka përmendur edhe mbështetjen e KFOR-it dhënë komunave në përballje me pandeminë Covid-19.
Po ashtu, presidentja Osmani ka potencuar se e ardhmja e Kosovës është në BE, NATO dhe OKB.
“Ne po punojmë me përkushtim që të anëtarësohemi në NATO. Kemi nevojë për mbështetjen e kësaj organizate edhe me anëtarët e NATO-s, të cilët nuk e njohin Kosovën”, ka theksuar Osmani.
Ndërsa në kontekstin e sigurisë rajonale, presidentja ka përmendur edhe rrezikun nga ndikimi rus në Ballkan, ndaj e ka konsideruar anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë tejet të rëndësishëm.