Osmani në veri: Falë përkushtimit të policëve të Kosovës, shteti ynë qëndron i pathyeshëm përballë çdo sfide

31 dhjetor 2024 | 15:18
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka shkruar në “Facebook” për vizitën që ka pasur të martën në veri të vendit.

Osmani ka thënë se në veri vizituan Drejtorinë Rajonale të Policisë për të shprehur mirënjohjen për punën e policisë. E para e shtetit ka thënë se gjatë këtij viti sfidues, ata ishin shtylla e sigurisë dhe mbrojtësit e palëkundur të sovranitetit dhe integritetit të Republikës sonë.

“Në prag të ndërrimit të moteve, vizituam Drejtorinë Rajonale të Policisë në Mitrovicë Veriore, ku grave dhe burrave në uniformë pata rastin t’ua shpreh mirënjohjen e thellë për punën dhe përkushtimin e palodhur. Gjatë këtij viti sfidues, ata ishin shtylla e sigurisë dhe mbrojtësit e palëkundur të sovranitetit dhe integritetit të Republikës sonë. Falë përkushtimit të tyre, shteti ynë qëndron i pathyeshëm përballë çdo sfide”, ka shkruar Osmani.

Presidentja e vendit po ashtu bërë me dije se gjatë qëndrimit në veri, ka vizituar bizneset që së fundmi janë hapur dhe po ndikojnë në integrimin e të gjithë qytetarëve pa dallim.

“Gjithashtu, në kuadër të kësaj vizite, ndamë momente gëzimi me më të vegjlit tanë, për festën e Vitit të Ri, dhe së bashku me ta vizituam bizneset e hapura së voni në veri të cilët po kontribuojnë jo vetëm në ekonominë e qytetit, por edhe në integrimin e të gjithë qytetarëve, pa dallim. Të gjithë fëmijëve dhe familjeve të tyre, të të gjitha etnive, nga zemra ju uroj një Vit të Ri, plot shëndet, begati dhe suksese! Le të jetë 2025 një vit i paqes dhe i mbarësisë për të gjithë!”, ka shkruar  Osmani.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Të nderuar anëtarë, partnerë dhe bashkëpunëtorë, Ndërsa po e mbyllim…