Osmani nga Nju Jorku: Do ta falënderojë Bidenin për aleancën tonë të fuqishme
Presidentja Vjosa Osmani, në një adresim drejtpërdrejt nga Nju Jorku në profilin e saj në Facebook ka treguar për takimet që do të ketë me liderët botëror dhe për pritjen zyrtare të organizuar nga presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden.
Osmani, theksoi në pritjen zyrtare, do të ketë mundësi që ta falendërojë Bidenin për mbështetjen e vazhdueshme.
“Është shumë me rëndësi që do të kemi mundësi që të marrim pjesë në organizime bashkë me lider të tjerë botëror, takimet do të nisin pas gjysmë ore”.
“Mirëpo më e rëndësishmja do të jetë pritja e organizuar nga presidenti Biden, ku do të kem mundësi që ta falënderojë në emër të popullit të Republikës së Kosovës, për aleancën tonë të fuqishme dhe për mbështetjen e vazhdueshme të Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, u shpreh Osmani.
Osmani theksoi se në takime me homologët e saj do të flasë për zhvillimet e fundit në Kosovë, sikurse edhe për synimet e Kosovës për krijimin e raporteve me shtetet anëtare të OKB-së dhe anëtarësim në organizata ndërkombëtare.
“Në takime bilaterale me liderë të tjerë do ta përçoj zërin e Republikës së Kosovës jo vetëm për zhvillimet rajonale, por edhe si mund të jetë Kosova një faktor që mund të kontribuojë në sfidat tjera globale me të cilat të gjithë bashkërisht po merremi”, ka thënë ajo.
Ajo ka shtuar se do të kenë takime edhe me mërgatën e Kosovës, duke shtuar se do të kenë edhe ligjërata në universitete të tjera të njohura.
Osmani gjendet në New York në kuadër të sesionit të 78-të të Asamblesë së Kombeve të Bashkuara.