Osmani njofton ambasadoren franceze për takimet me Vetëvendosjen
Nënkryetarja e Lidhjes Demokratike e Kosovës (LDK), Vjosa Osmani është takuar të premten me ambasadoren e Francës në Kosovë, Marie Christine Butel.
Në këtë takim, Osmani e ka njoftuar ambasadoren franceze për qëndrimet e LDK-së për situatën aktuale politike dhe për takimet e grupeve punuese të LDK-së me ato të Vetëvendosjes për përafrimin e programeve të të dy partive drejt një programi të përbashkët qeverisës.
Më tutje, Osmani ka folur për prioritetet e LDK-së për institucionet e ardhshme të Kosovës me theks të veçantë luftën kundër krimit dhe korrupsionit, shëndetësinë, dialogun Kosovë-Serbi dhe liberalizimin e vizave.
Gjithashtu në këtë takim është diskutuar për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit dypalësh me Francën në fusha të ndryshme.
/Epoka e re/