Osmani njofton ambasadorin japonez me prioritetet e qeverisë së re
Nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Vjosa Osmani dhe anëtarët e Kryesisë së kësaj partie, Besian Mustafa dhe Lumir Abdixhiku janë takuar me ambasadorin e Japonisë në Austri, përgjegjës për Kosovë, Kiyoshi Koinuma.
Ambasadori Koinuma e ka uruar Osmanin për mbarëvajtjen e zgjedhjeve të 6 tetorit dhe ka shprehur gatishmërinë e Qeverisë së Japonisë të forcojë marrëdhëniet me Kosovën dhe Ballkanin si vazhdimësi e marrëdhënieve të fuqishme që ka Japonia me Bashkimin Evropian.
Ndërsa Vjosa Osmani e ka njoftuar diplomati japonez për vazhdimin e takimeve të grupeve punuese të LDK-së me ato të LVV-së për përafrimin e programeve të të dy partive drejt një programi të përbashkët qeverisës.
Osmani ka thënë se prioritetet e qeverisë së ardhshme do të jenë zhvillimi ekonomik, stabiliteti në vend, reforma në rend dhe ligj si dhe investimi në qytetarët e Kosovës përmes reformave në arsim dhe shëndetësi.
Më tutje, Osmani ka falënderuar ambasadorin Koinuma për bashkëpunimin dhe përkrahjen që i ka ofruar Qeveria e Japonisë shtetit të Kosovës në fushat e ekonomisë, shëndetësisë, kulturës, etj.
Njëkohësisht, ajo ka uruar të forcohet bashkëpunimi i Kosovës dhe Japonisë në anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.
/Epoka e re/